Sylejmani: Investova miliona në futboll, ndihem plotësisht i harruar
FOTO: Laura Hasani

Sylejmani: Investova miliona në futboll, ndihem plotësisht i harruar

Sport January 19, 2020 - 23:06

Shukri Sylejmani është biznesmeni që dha gjithçka që pati nga kompania e tij MEN, për klubin e futbollit që sot e ka emërtimin e ri, SC Gjilani.

Që prej themelimit të këtij klubi, më 1995, e deri disa vite të pasluftës, Sylejmani ka qenë kryetar dhe donatori kryesor i SC Gjilani.

Sot, gati se është harruar. Përmendet vetëm në koluare, por deri sot nuk i ofruar asnjë post. Qoftë në këtë klub, në Komitet Ekzekutiv e Bord të FFK, apo edhe drejtpërdrejt në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Kur pyetet se sa ka investuar në futboll nga pasuria e tij, biznesmeni gjilanas i njohur si Shuka i MEN’it, është i shkurtër.

“Miliona. Koka më dhemb”, thotë Sylejmani në një prononcim për Mediafokus.info.

Por, donatori i dikurshëm i SC Gjilani, thotë se ndihet plotësisht i harruar e i nënçmuar.

“Kam dhënë gjithçka që pata nga pasuria ime për klubin e Gjilanit. Në shumë raste, e kam lënë veten keq vetëm që t’i dalë në ndihmë klubit që e desha me krejt qenien. Por, sot nuk më është ofruar asnjë pozitë në instancat e futbollit, qoftë në nivel lokal apo qendror. Ndihem plotësisht i harruar dhe i nënçmuar”, ka thënë Shukri Sylejmani për Mediafokus.info.

Kur është pyetur pse e kanë harruar, prapë ai është fjalëpak.

“Për interesa personale”, thotë ai.

Përndryshe, Shukri Sylejmani, me iniciativë të Lutfi Hazirit, vitin e kaluar është shpallur Qytetar Nderi i Gjilanit nga Kuvendi Komunal, me motivacionin për kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin dhe donacionin për SC Gjilani, duke e formuar në kohën kur shteti i Serbisë i kishte shkatërruar çdo gjë popullit të Kosovës./MediaFokus/

Image