'Është mëkat që klubet e mëdha nga Rrafshi i Dukagjinit nuk po garojnë në elitë'

'Është mëkat që klubet e mëdha nga Rrafshi i Dukagjinit nuk po garojnë në elitë'

Sport January 21, 2020 - 10:54

Klubet emblemë në futbollin e Kosovës, si: Vëllaznimi i Gjakovës, Liria e Prizrenit dhe Besa e Pejës, nuk po shndritin si dikur. Këto klube që janë sinonim i futbollit kosovar së bashku edhe me Prishtinën e me Trepçën tash e disa vite po shëtisin pa sukses herë në Superligë e herë në Ligën e Parë. Trajnerë e ish-futbollistë thonë për gazetën “Zëri” se është mëkat që nuk po gjenden njerëzit e duhur për t’i vënë në binarë klubet nga Rrafshi i Dukagjinit, shkruan Zëri.info.

Futbollisti i parë shqiptar, i cili ka marrë pjesë në një kampionat botëror, është Ardian Kozniku. Ish-sulmuesi i mirënjohur me famë ndërkombëtare e fitoi medaljen e bronztë me Kroacinë në Botërorin e organizuar në Francë në vitin 1998. Gjakovari Kozniku e ka nisur karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës në vitin 1979. Sot skuadra “Kuqezi” ndodhet në gjendje të mjerueshme. “Më dhemb zemra për gjendjen, në të cilën është Vëllaznimi. Gjithçka më lidh më Vëllaznimin, pasi edhe babai im e ka nisur dhe e ka përfunduar karrierën aty, vëllai dhe daja kanë luajtur për Vëllaznimin. Duhet thënë se talentet më të mëdha të futbollit nga Kosova kanë dalë nga Gjakova. Pa Vëllaznimin nuk ka hijeshi Superliga e Kosovës. Lutem dhe shpresoj se gjendja të rregullohet”, ka thënë Ardian Kozniku në një prononcim për gazetën “Zëri”.

Historia e futbollit të Kosovës lidhet me klubet nga Rrafshi i Dukagjinit. Dikur klubet, si: Vëllaznimi, Liria e Prizrenit dhe Besa e Pejës i kanë dhënë shumë futbollit të Kosovës, atij shqiptar, por edhe atij evropian. Shumë futbollistë nga ky rajon kanë bërë karrierë në Evropë. Krahas Koznikut, te Vëllaznimi e ka nisur karrierën Besnik Hasi, kurse te Liria Kujtim Shala e Fatos Beqiraj te Besa.

Në vitet e fundit futbolli në këtë trevë të Kosovës ka rënë shumë. Sot dy komuna të vogla të Kosovës e përfaqësojnë këtë rajon në elitë. FC Ballkani dhe Dukagjini i Klinës janë kthyer në kohën kur regjioni, Rrafshi i Dukagjinit, ka përfaqësim fare të vogël në Superligë. Kështu Dukagjinit dhe Ballkanit të Suharekës u ka rënë barra për ta përfaqësuar denjësisht në Superligë rajonin e madh të Rrafshit të Dukagjinit. Besa e Vëllaznimi ishin pranë të kthehen në elitë (edicionin e kaluar), por i humbën ndeshjet e barazhit nga Gjilani e Trepça ’89. Liria ishte në elitë, por ra në Ligën e Parë. Dukagjini përfundoi edicionin në vendin e dytë në Ligën e Parë dhe kështu së bashku me Vushtrrinë u kthyen në elitë. Ballkani po korr suksese në elitë teksa në vjeshtë është shpallur kampion vjeshtor për dallim nga skuadra e Dukagjinit që pranverën në futbollin e Kosovës do ta nisë nga pozita e fundit.

Sa herë përmendet emri e tij, mendja na shkon te Besa e Pejës dhe te golat. Fjala është për ish-sulmuesin Haxhi Zeka, i cili për vite më radhe ka qenë një ndër sulmuesit më të rrezikshëm në futbollin e Kosovës. Zeka i ka shijuar të gjithë titujt e mundshëm në futbollin e Kosovës me Besën, ndërkohë që tashmë punon në shtabin teknik te kjo skuadër. Zekës i vjen shumë keq që klubet e mëdha nuk janë momentalisht në elitë. “Dihet se klubet e mëdha nga Rrafshi i Dukagjinit po i mungojnë shumë elitës së futbollit kosovar. Gjithçka ka qenë dhe është e varur nga kushtet dhe nga buxhetet. Është mëkat për klubet, qytetet dhe tifozerinë që klubet e mëdha nga rajoni i Dukagjinit nuk po garojnë në elitë”, theksoi Haxhi Zeka për t’u ndalur te Besa. “Mund të flas për Besën. Ne jemi në rrugë të mirë për t’u rikthyer në elitë, pasi kemi krijuar kushte shumë të mira. Besoj fuqishëm në projektin e klubit”, vlerësoi ish-futbollisti që ka tmerruar portierët kosovarë.

Besa e Pejës në stinorin vjeshtor në Ligën e Parë ka treguar rezultate shumë të mira derisa e ka mbyllur kampionatin në pozitën e parë me 28 pikë të grumbulluara.

Vëllaznimi nuk ka shumë shpresa të rikthehet as në edicionin e ardhshëm në Superligë, pasi e ka përfunduar stinorin vjeshtor në vendin e 13-të në Ligën e Parë, me 16 pikë. Liria do ta nisë pranverën në Ligën e Parë nga vendi i tretë me 26 pikë, dy më pak se lideri Besa. Besa e Pejës në stinorin vjeshtor në Ligën e Parë ka treguar rezultate shumë të mira, derisa e ka mbyllur kampionatin në pozitën e parë me 28 pikë të grumbulluara./Zëri.info

Image