Nga një synim i Liverpoolit në kalimin te Hearts: Donis Avdijaj rrëfen rrugëtimin e ‘çmendur’ tre-vjeçar

Nga një synim i Liverpoolit në kalimin te Hearts: Donis Avdijaj rrëfen rrugëtimin e ‘çmendur’ tre-vjeçar

Sport January 22, 2020 - 15:42

Donis Avdijaj ishte një futbollist i talentuar në fillimet e karrierës së tij, një golashënues i lindur dhe me potencial të madh në grupmoshat e reja të Schalkes, ku kishte një klauzolë prej 41 milionë eurosh, e cila i ishte vendosur për ta shmangur interesimin e Liverpoolit.

Së bashku me Timo Werner, Julian Brandt dhe Leroy Sane, ai shkëlqeu me grupmoshat e reja të Gjermanisë në çdo ndeshje, shkruan ‘Deadlinenews.co.uk’, përcjell Zëri.info.

Megjithatë, në mbrëmjen e sontme, Avdijaj pritet të debutojë në Dingwall për skuadrën e tij të re, Hearts në Premierligën skoceze – skuadrën e tij të gjashtë në tri vitet e fundit.

Pas largimit nga Schalke, Avdijaj luajti edhe për skuadra si Sturm Graz, Willem II dhe Trabzonspor, por kurrë nuk e arriti potencialin e tij.

“Disa njerëz mund të vënë dyshime tek unë për shkak se kam pasur gjashtë skuadra për tri vite. Çfarë mund të them është se ka qenë një eksperiencë e çmendur dhe unë kam mësuar shumë”, ka thënë fillimisht futbollisti nga Istogu.

“Në të shumtën e kohës, kam kaluar mirë. Kam luajtur në pesë shtete dhe mund të flasë pesë gjuhë. Kam provuar ushqime të ndryshme, kam takuar njerëz të ndryshëm dhe kam përjetuar kultura të ndryshme si dhe tifozë e stadiume të ndryshme. Për një 23-vjeçar, nuk është një eksperiencë e keqe”, vlerësoi më tej Donis Avdijaj.

Ka nënshkruar vetëm për gjashtë muaj me Hearts, por ai nuk dëshiron të dorëzohet shpejt.

Image

“Shpresoj të përshtatet për një periudhë më të gjatë te Hearts, por fillimisht kam një mision – pasi ta mbarojmë këtë, ne mund të flasim”, theksoi Avdijaj.

“Unë jam një futbollist shumë agresiv, një futbollist teknik dhe një futbollist emocional. Në ndeshjet si vendas, më pëlqen t’i elektrizoj tifozët dhe t’iu jap emocione”, potencoi futbollisti i Kosovës.

Avdijaj, i cili ishte i rregulltë te grupmoshat U-16, U-17 dhe U-19, ishte ndjekur nga Shqipëria dhe Kosova, por më pas vendosi që ta përfaqësonte Kosovën, për të cilën nuk ka luajtur që prej nëntorit të vitit 2018.

Megjithatë, istogasi shpreson të ftohet sërish nga trajneri Bernard Challandes.

“Unë dua të rikthehem në Përfaqësuese. Por, së pari me rëndësi është të luaj në skuadër. Vendosa ta përfaqësoj Kosovën dhe e di se kam njerëz mbrapa meje në Kosovë”, u shpreh Avdijaj.

“Është shtëpia e prindërve të mi, e flas gjuhën shqipe shumë mirë dhe mendoj se kemi një rast të mirë për ‘Euro 2002’. Cilësia e skuadrës është e mirë dhe shpresoj se vendi mund ta bëjë historinë”, përfundoi Donis Avdijaj./Zëri.info