Babaj: Klubet duhet të mendojnë më shumë për lojtarët e rinj

Babaj: Klubet duhet të mendojnë më shumë për lojtarët e rinj

Sport January 25, 2020 - 10:36

Vedat Muriqi, Milot Rashica e Amir Rrahmani konsiderohen yje të Përfaqësueses së Kosovës. Të gjithë këta futbollistë e kanë arritur Evropën, derisa hapat e parë në futboll i kanë nisur në Kosovë. Ata po shkëlqejnë me skuadrat e tyre si Fenerbahçe (Muriqi), Werder Bremen (Rashica) ose Hellas Verona (Rrahmani). Madje ky i fundit ditë më parë për 14 milionë euro u transferua te gjiganti italian Napoli.

Gjithsesi, afati kalimtar i dimrit, që ka nisur më 1 janar dhe përfundon edhe pak ditë (më 31 janar), Kosovën e ka zënë si mos më keq sa i përket eksportit të lojtarëve, shkruan sot gazeta "Zëri".

Asnjë futbollist nga Superliga kosovare nuk është transferuar në ndonjë klub të rajonit e lëre më në ndonjë skuadër evropiane.

Lexo shkrimin e plotë: Janari pa bereqet, Evropa duket shumë larg

https://www.zeri.info/sport/321996/janari-pa-bereqet-evropa-duket-shume-larg/

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar Shpëtim Babaj në të kaluarën ka ndërmjetësuar në kalimin e shumë futbollistëve në Shqipëri dhe jo vetëm. Ai mendon se klubet kosovare nuk po u japin sa duhet hapësirë lojtarëve të rinj. “Klubet kosovare po u japin shumë pak hapësirë lojtarëve të rinj, sepse trajnerët, por edhe presidentët e klubeve i shikojnë vetëm rezultatet dhe te lojtarët e rinj nuk kanë besim.

Tashmë lojtarët nga Kosova nuk po shkojnë as në Shqipëri, pasi në Kosovë po paguhen shumë më mirë, kurse në Evropë nuk po mund të shkojnë, sepse ende Kosova nuk shikohet nga klubet dhe nga menaxherët. Një fakt tjetër është që klubet kërkojnë shuma të konsiderueshme për shitjen e një lojtari”, ka deklaruar Shpëtim Babaj për gazetën “Zëri”.

Image

“Një lojtar i ri nëse synon daljen në Evropë një gjë të tillë mund ta bëjë shumë më lehtë nëpërmjet Shqipërisë, sepse në Shqipëri ka më shumë menaxherë dhe është niveli më i lartë si në infrastrukturë, si dhe me reklamimin e lojtarëve. Këtë fakt e dëshmojnë edhe lojtarët e Përfaqësueses që kanë dalë në Evropë. Të gjithë kanë dalë përmes Shqipërisë, përpos Milot Rashicës”, potencoi Shpëtim Babaj, i cili në karrierën e tij ka luajtur në shtatë kampionate evropiane.