Tovërlani: Në Kosovë ka disa lojtarë shumë premtues

Tovërlani: Në Kosovë ka disa lojtarë shumë premtues

Sport January 25, 2020 - 10:46

Vedat Muriqi, Milot Rashica e Amir Rrahmani konsiderohen yje të Përfaqësueses së Kosovës. Të gjithë këta futbollistë e kanë arritur Evropën, derisa hapat e parë në futboll i kanë nisur në Kosovë. Ata po shkëlqejnë me skuadrat e tyre si Fenerbahçe (Muriqi), Werder Bremen (Rashica) ose Hellas Verona (Rrahmani). Madje ky i fundit ditë më parë për 14 milionë euro u transferua te gjiganti italian Napoli.

Gjithsesi, afati kalimtar i dimrit, që ka nisur më 1 janar dhe përfundon edhe pak ditë (më 31 janar), Kosovën e ka zënë si mos më keq sa i përket eksportit të lojtarëve, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Asnjë futbollist nga Superliga kosovare nuk është transferuar në ndonjë klub të rajonit e lëre më në ndonjë skuadër evropiane.

Për eksportin e lojtarëve nga futbolli i Kosovës në Evropë ka folur edhe trajneri më i suksesshëm në futbollin e Kosovës, Afrim Tovërlani.

Lexo shkrimin e plotë: Janari pa bereqet, Evropa duket shumë larg

https://www.zeri.info/sport/321996/janari-pa-bereqet-evropa-duket-shume-larg/

Trajneri nga Prishtina, i njohur si “Toki”, pohon se në Kosovë momentalisht janë disa lojtarë shumë premtues. “Mendoj se janë disa lojtarë të rinj dhe shumë premtues, të cilët gjatë verës do të shiten jashtë vendit. Arsyeja pse tash nuk kanë shkuar jashtë është se klubet tona, të cilat janë në pozita për të “luftuar” për titull të kampionit dhe për Kupën e Kosovës, nuk i lirojnë në këto momente, duke e ditur që nuk mund të marrin ndonjë dëmshpërblim të madh momentalisht”, ka thënë Afrim Tovërlani për “Zërin”.

“Lojtarët që shkojnë nga Kosova zakonisht lidhin marrëveshje për një dëmshpërblim të vogël ose solid dhe kur të transferohen në klubin e tretë klubet tona mund të marrin ndonjë përqindje. Ky fakt nuk po më çudit, pasi edhe gjatë dimrit nuk ka lëvizje të mëdha as në Evropë”, potencoi Afrim Tovërlani. /Zëri.info