Këta janë anëtarët e zgjedhur sot në Kuvendin e zhurmshëm për Komitetin Ekzekutiv të FFK-së

Këta janë anëtarët e zgjedhur sot në Kuvendin e zhurmshëm për Komitetin Ekzekutiv të FFK-së

Sport January 27, 2020 - 20:09
Delegatët e pranishëm me 37 vota për zgjodhën anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së

Me tensione e akuza është përshkuar Kuvendi zgjedhor i Federatës së futbollit të Kosovës, e ku pavarësisht shumë kundërshtimeve u zgjodhën anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Në Kuvendin e mbajtur të hënën pasdite, i cili zgjati më shumë se dy orë, më të zëshmit ishin trajneri i Llapit, Tahir Batatina dhe kryetari i Trepçës ’89, Abedin Zeka, të cilët kërkuan që të ndryshohet statuti dhe patën edhe akuza në drejtim të krerëve të Federatës së futbollit të Kosovës.

Pas numërimit të delegatëve, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, kërkoi votëbesim, të cilin e kundërshtuan një pjesë e tyre.

Pas dy orësh, kryetari Agim Ademi kërkoi që të hedhet në votim pika e vetme e rendit të ditës, zgjedhja e anëtarëve të rinj të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Kjo u kundërshtua nga përfaqësuesit e disa klubeve të Superligës.

Delegatët e pranishëm me 37 vota për zgjodhën anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv të cilët janë: Bakir Burri, Predrag Joviq, Mirsad Qollaku, Iljaz Mjaku, Naser Ajeti, Agim Nura, Xhelal Broja, Vjollca Krasniqi, Ismajl Ajeti dhe Flamur Bunjaku. Ata kanë mandat katërvjeçar.