Ramiz Krasniqi me deklaratë interesante për futbollistin serb të ftuar te Kosova U-19

Ramiz Krasniqi me deklaratë interesante për futbollistin serb të ftuar te Kosova U-19

Sport January 29, 2020 - 12:10

Trajneri i Përfaqësueses U-19 të Kosovës, Ramiz Krasniqi, do të mbajë grumbullimin e radhës me futbollistët e kampionatit vendor të gjeneratës 2003, ka njoftuar të martën Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

Krasniqi ka publikuar listën me emrat e 24 futbollistëve, të cilët të mërkurën (sot) dhe të enjten do të stërviten në stadiumin e 2 Korrikut në Prishtinë.

Në listën e publikuar nga Ramiz Krasniqi shihet edhe emri i futbollistit serb Ilija Iviq.

Image

Fjala është për futbollistin 17 vjeçar Ilije Ivic, i cili vije nga komuna e Graçanicës, bën të ditur Gazeta “Zëri”.

Futbollisti serb tash e një kohë është duke stërvitur me skuadrat e grupmoshave të Flamurtarit, derisa drejtuesit e klubit kanë vendosur që t’i ofrojnë kontratë profesionale.

Në një bisedë me Zëri.info, përzgjedhësi Ramiz Krasniqi ka konfirmuar ftesën për futbollistin serb, derisa ka thënë se ai është një futbollist i jashtëzakonshëm.

“Të ju tregoj diçka sinqerisht, ne nuk na intereson kombësia, por se a është futbollist i mirë. Ai është një futbollist jashtëzakonisht i mirë”, u shpreh fillimisht trajneri i mirënjohur kosovar.

Image

Megjithatë, Ivic nuk do të jetë pjesë e Kosovës U-19 në këtë grumbullim, pasi është marrë nga skuadra e Flamurtarit për përgatitje në Antalia të Turqisë.

“Ai e ka gjatësinë e konsiderueshme për pozitën që luan. Por, me leje ai ka shkuar me skuadrën e parë të Flamurtarit, në përgatitje dimërore në Antalia të Turqisë”, tregon më tej Krasniqi.

Pavarësisht mungesës, duke u bazuar në cilësitë që ai posedon, Krasniqi ka thënë se ai do të vazhdojë të jetë pjesë e Kosovës.

“Ai do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në vazhdim. E kam përcjellur shumë, dhe ai është një futbollist jashtëzakonisht i mirë”, shtoi Krasniqi për Zëri.info.

Futbollistët e ftuar janë:

Artim Kutleshi, Alket Bajrami, Granit Shabani, Festim Haxhiu (Llapi), Andi Salihu, Valon Pllana, Redon Syla (Prishtina), Diar Halili, Lorik Rexhepi, Ledon Krasniqi (2 Korriku), Marin Reka, Diart Geci, Granit Latifi (SHF Kurda), Art Sherifi, Jon Shehu (SHF Besëlidhja), Dren Nura, Ilija Iviq (Flamurtari), Edvin Qeshko, Fatjon Bunjaku (SHF Lushta), Selim Halabaku, Fatlum Leka (Gjilani), Januz Miftari, Ardian Hasani (Trepça ’89) dhe Leonard Bllacaku (Kosova P.)./Zëri.info