Egzon Shala: M'u realizua ëndrra, në 'Tokio 2020' synoj medaljen

Egzon Shala: M'u realizua ëndrra, në 'Tokio 2020' synoj medaljen

Sport February 19, 2020 - 19:38
Lajmet e fundit nga sporti

Mundësi Egzon Shala ka fituar sot normën Olimpike "Tokio 2020", pas suksesit të arritur në kampionatin botëror, të mbajtur në Astana të Kazakistanit, në muajin shtator të vitit të kaluar.

Shala kishte dalë i shtati dhe për një vend nuk ishte kualifikuar në Lojërat Olimpike "Tokio 2020", por sot Federata Botërore e Mundjes i konfirmoi presidentit të KOK-ut, Besim Hasani, normën kualifikuese për Egzonin, pasi Nur Sultan i Kazakistanit, që doli i pesti në botëror, kishte thyer rregullat e antidopingut.

Shala ka fituar normën kualifikuese në kategorinë më të fortë të mundjes, atë deri në 125 kilogramë.

“Po ndihem shumë mirë, por më mirë do të ndihesha sikur ta fitoja gjatë garave, pasi isha afër të hyja në zonën e medaljeve”, ka thënë Shala për faqen zyrtare të KOK-ut, “noc-kosovo.org”.

“Është ndjenjë shumë e mirë. Më është realizuar ëndrra. Askush nuk e ka pritur që Kosova do të fitojë normë Olimpike në kategorinë më të fortë të mundjes (-125 kg), pasi kjo është pesha më e fortë në mundje dhe shumë shtete të forta mbesin pa normë”, shtoi Shala.

Egzoni mbeti jashtë evropianit të mundjes që javën e kaluar u mbajt në Romë të Italisë, shkaku i një lëndimi të pësuar gjatë përgatitjeve.

Por, ai ka vetëbesim të madh se në Lojërat Olimpike "Tokio 2020" nuk do të udhëtojë vetëm për pjesëmarrje.

“Sapo të riaftësohem nga lëndimi do të nisi me përgatitje. Në Tokio nuk shkoj vetëm për pjesëmarrje, do të udhëtoj për të fituar medalje. Pres edhe mbështetjen e Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport dhe të Komitetit Olimpik të Kosovës”, u shpreh Shala.

Normën nga mundja po e kërkojnë edhe vëllai i tij, Edon Shala në kategorinë -92 kilogramë, si dhe Alban Sopa (-70 kg).

Brenda normës Olimpike "Tokio 2020" ndodhen edhe pesë xhudistët, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Akil Gjakova, të cilët pritet të konfirmohen në muajin maj 2020, kur përfundon cikli kualifikues.

Lojërat Olimpike "Tokio 2020", mbahen prej 24 korrik – 9 gusht 2020 në Tokio të Japonisë.