Dragusha: Ndeshjen Prishtina – Ballkani e vendosin këto detaje, rëndësia e sfidës është e madhe

Dragusha: Ndeshjen Prishtina – Ballkani e vendosin këto detaje, rëndësia e sfidës është e madhe

Sport February 28, 2020 - 17:02
Detajet

Prishtina dhe Ballkani takohen në derbin e xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në futboll, raporton Zëri.info.

Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja ekipet për faktin se të dyja po “luftojnë” për titullin kampion në këtë edicion.

Ish-futbollistët e Prishtinës dhe Ballkanit e kanë komentuar ndeshjen në fjalë që luhet të shtunën nga ora 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ballkani para ndeshjes i prinë tabelës me 40 pikë kurse Prishtina i ka tre pikë më pak dhe ndodhet në pozitën e tretë.

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Muhamet Dragusha në të kaluar ka luajtur edhe për Prishtinën dhe Ballkanin.

“Rëndësia e ndeshjes është shumë e madhe, por nuk është përcaktuese për titull.

Nesër do të fitojë besimi dhe motivi. Skuadra që do të fitojë nesër ndoshta do ta ketë një lehtësi në anën psikologjike në vazhdim të kampionatit.

Loja në fillim do të jetë e kujdesshme nga të dyja ekipet kurse më pas do të vazhdojnë me lojën e tyre ku për karakteristikë të dyja ekipet luajnë lojë sulmuese dhe mund të kemi shumë raste, por edhe gola”, ka thënë para ndeshjes Muhamet Dragusha për Zëri.info.

Image

“Ai staf që arrin ta menaxhojë mirë ekipin në anën psikologjike, mendojë që mund ta vendos ndeshjen, normalisht duke ia bashkangjitur angazhimin maksimal dhe fatin që është një element shumë i rëndësishëm në lojën e futbollit”, potencoi Muhamet Dragusha.

Image

Ish-ylli i futbollit kosovar ka qenë kampion me Prishtinën në edicionin 2003/04 dhe pjesë e Ballkanit, kur me këtë ekip është inkuadruar në Superligë nga Liga e Parë.

“Mbetem me shpresë se edhe moti do të jetë i mirë në mënyrë që të shohim një ndeshje të bukur”, përfundoi Muhamet Dragusha.

Ky i fundit tashmë punon si trajner me fëmijë në Shkollën e tij private të futbollit. /Zëri.info

Image