Domgjoni nuk vjen te Kosova, e konfirmon zyrtari i Përfaqësueses

Domgjoni nuk vjen te Kosova, e konfirmon zyrtari i Përfaqësueses

Sport March 28, 2020 - 14:57
Lajmet e fundit nga sporti

Ish-mbrojtësi i Lirisë së Prizrenit, David Domgjoni gjatë afatit kalimtar të janarit është transferuar te skuadra turke, Menemespor, që garon në Ligën e Parë të këtij vendi.

22 vjeçari nga Prizreni, në Turqi deri më tani është aktivizuar në tetë ndeshje, duke qenë titullar i padiskutueshëm.

Qendërmbrojtësi, pas paraqitjeve të mira, është raportuar nga mediat shqiptare se tashmë po kërkohet nga katër ekipe elitare të Turqisë.

Madje, në Shqipëri kanë shkruar se Domgjoni tashmë ka filluar bisedimet me Kombëtaren e Kosovës A, në mënyrë që në të ardhmen t’i bashkohet fanellës dardane.

Por këto zëra, janë demantuar nga menaxheri i Kosovës, Bajram Shala.

Shala tha se deri më tani Davidi nuk është kontaktuar nga Kosova, por se në të ardhmen do të mund të ndodh një gjë e tillë.

“Aktualisht ne nuk kemi pas asnjë kontakt me Davidin. Mirëpo në varësi të zhvillimit të tij dhe nevojës eventuale që mund ta ketë ekipi në ndonjë moment, shtabi teknik mund të shpreh interesim edhe për Davidin ashtu si për çdo futbollist tjetër e më pas Federata do të bëjë hapin e saj”, tha Shala për gazeten Olle.

Domgjoni, në vitin 2018 ishte pjesë e Superligës së Kosovës, ndërsa në Shqipëri ka luajtur te skuadrat si: Tirana, Laçi, e Kastrioti.