Ish-futbollisti i njohur: Mbi katër-pesë klube kosovare shpenzojnë një milion euro në vit

Ish-futbollisti i njohur: Mbi katër-pesë klube kosovare shpenzojnë një milion euro në vit

Sport March 30, 2020 - 22:22

Koronavirusi ka gjunjëzuar shumicën e shteteve, ku regjistrohen numër i madh të prekurish dhe viktimash.

Kjo do të ndikojë edhe në futboll, ku shumë skuadra pritet të kenë probleme në lidhje me financat. Në këtë situatë një shembull shumë i mirë vjen nga Kosova, shkruan Zëri.info.

Qeveria e Kosovës në kuadër të pakos financiare për të mbështetur shtresa të ndryshme të sektorit privat, ka paraparë edhe sportin.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve, për sportin, rininë dhe kulturën janë ndarë pesë milionë euro.

“Masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë goditur rëndë edhe aktivitetet sportive, kulturore dhe artistike. Për të ndihmuar këto kategori, do të rritet për 5 milionë euro buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shumë kjo që do të përdoret për subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit”, thuhet në njoftimin e MKRS-së. 

Nuk dihet procedura e ndarjes dhe vlerësimit dhe se a bëhet fjalë edhe për mbështetje në paga të sportistëve, teksa Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë me dije se ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim nga UEFA për ndarjen eventuale të mjeteve financiare për klubet tona.

Megjithatë, edhe vetë drejtuesit e klubeve kosovare e kanë pranuar se do të kenë të vështirë aspektin financiar në këtë situatë të vështirë pandemie.

Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, trajneri dhe donatori i klubit të Llapit, Tahir Batatina, trajneri Tahir Lushtaku dhe analisti Genc Sermaxhaj në një bisedë me Zëri.info kanë pohuar se kjo situatë pandemie do t'i vë në vështirësi klubet kosovare.

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar dhe trajneri i Dritës U-19, Genc Sermaxhaj e ka mirëpritur vendimin e MKRS-së për ndarjen e mjeteve.

Në një bisedë me Zëri.info, ai ka thënë se klubet kosovare kanë shpenzime të mëdha dhe se sipas tij, këto mjete janë të mjaftueshme.

"Duke e parë gjendjen e vështirë në të cilën po kalojmë, kjo ndarje e mjeteve nga MKRS-ja për sportin në këto momente është e mirëseardhur dhe mendoj se është e mjaftueshme. Kohëve të fundit ne futbollin kosovar ka shpenzime jashtëzakonisht të mëdha në futboll. Mbi 4-5 klube për një vit shpenzojnë afër ose mbi 1 milion euro", ka thënë Sermaxhaj, duke shtuar:

"Dhe kjo ndarje e këtyre mjeteve duhet të ndahen në menyrë proporcionale në raport me sportet tjera dhe ato mjete më pas të cilat ndahen për futbollin duhet të ndahen sërish proporcional hargjimeve që bëjnë klubet tona. Sa i përket kësaj kohe të pezullimit të garave, klubet kanë nevojë për këtë mbështetje e cila iu ka bërë dhe besoj se janë ndihmë e mjaftueshme për këto një muaj e më shumë që të paguhen futbollistët"./Zëri.info