Futbollisti afrikan i Feronikelit bëhet kuzhiner, shkaku i pandemisë në Kosovë

Futbollisti afrikan i Feronikelit bëhet kuzhiner, shkaku i pandemisë në Kosovë

Sport April 02, 2020 - 13:39

Pandemia COVID-19 e njohur ndryshe si koronavirus ka paralizuar sportin në mbarë botën. Edhe në Kosovë, ngjarjet sportive janë pezulluar për një afat të pacaktuar për shkak të përhapjes së këtij virusi që ka infektuar mbi 120 persona.

Sporti më i bukur në botë, futbolli, gjithashtu ka ndalur aktivitetet deri në një njoftim të pacaktuar, raporton Zëri.info.

Futbollistët, megjithatë, nuk po ndalen dhe po vazhdojnë të stërviten në baza individuale, në kushte të improvizuara, për ta mbajtur formën e tyre optimale.

Në futbollin e Kosovës dihet se ka edhe futbollistë të huaj, të cilët janë duke ndjekur me përpikëri udhëzimet e trajnerëve të tyre për stërvitje individuale.

Megjithatë, në një krizë si kjo, nuk është aspak e lehtë për një futbollist të huaj të qëndrojë në Kosovë.

Zëri.info ka zhvilluar biseda me disa prej futbollistëve të huaj që jetojnë për momentin në Kosovë, jashtë familjeve të tyre.

Ata kanë rrëfyer mënyrën e jetesës tani për tani në vendin tonë, në një periudhë ku është ndalur edhe lëvizja e lirë në disa orare të caktuara.

Fubollisti nga Liberia, Prince Balde është njëri prej futbollistëve të huaj që profesionin e tij të futbollistit e ushtron në Kosovë.

Qendër-mbrojtësi 22-vjeçar është pjesë e kampionit në fuqi të Kosovës, Feronikeli, derisa ai ka treguar se është duke ndjekur me kujdes udhëzimet e autoriteteve.

“Jam duke kaluar mirë në këtë periudhë në këtë periudhë pandemie. Jam duke i ndjekur udhëzimet dhe po qëndroj në shtëpi. Jam mirë dhe ne të gjithë po lutemi që kjo pandemi të përfundojë sa më shpejt dhe që ne t’i kthehemi fushës”, ka thënë fillimisht Balde për Zëri.info.

Duke qenë se restorantet në Kosovë janë mbyllur nga shteti shkaku pandemisë COVID-19, Balde tregon se po gatuan vetë.

“Unë gatuaj vetë në shtëpi. Shkoj në market dhe blej ushqimin tim si pula, peshk, mish dhe gjëra të tjera të nevojshme. Por që janë duke më munguar restorantet”, tregon më tej 22-vjeçare, duke thënë se kontakton vazhdimisht edhe me familjen e tij:

“Familja ime është mirë. Flas me ta çdo ditë. Ata janë mirë. Më mungojnë”.

Duke folur për stërvitjet, ai ka thënë se i bën individualisht, teksa shkon edhe në male për të vrapuar.

“Sa i përket stërvitjeve, ne i bëjmë individualisht. Nganjëherë shkoj në male për të vrapuar”, theksoi Balde.

Pyetjes se a i mungon futbolli, Balde iu përgjigj: “Po, më mungon shumë futbolli sepse është gjëja më e mirë që bëj. Mezi pres ta shoh veten në fushën e gjelbër”./Zëri.info

Image