Nuk respektoi shtetrrethimin, burgoset ish-rekordmeni i Maratonës së Berlinit

Nuk respektoi shtetrrethimin, burgoset ish-rekordmeni i Maratonës së Berlinit

Sport April 04, 2020 - 10:03
Lajmet e fundit nga sporti

Ligji nuk pyet për askënd, madje edhe atëherë kur bëhet fjalë për emra dhe legjenda të sportit. Wilson Kipsang, ish-mbajtësi i rekordit botëror në maratonë dhe fitues i medaljes së bronztë në Olimpiadën “Londër 2012”, u arrestua për shkelje të shtetrrethimit të vendosur në vendin e tij, Kenia (nga ora 19:00 deri në 05:00), si pjesë e masave për të luftuar kundër pandemisë Covid-19. Vrapuesi i distancave të gjatë u kap në një bar duke pirë alkool së bashku me 20 persona të tjerë, përfshirë një politikan vendas.

Të gjithë janë ndaluar nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe nuk janë lëshuar ende. Incidenti ndodhi në Iten, një lokalitet në Kenia, shumë i njohur për atletët që duan të stërviten në kuota të larta, duke pasur parasysh që është i vendosur 2500 metra mbi nivelin e detit.

Image

Kipsang shënoi rekordin botëror me 2 orë, 3 minuta 23 sekonda gjatë Maratonës së Berlinit, në vitin 2013, një rekord që mbeti për një vit, derisa bashkatdhetari i tij, Dennis Kimetto, e theu me kohën 2:02:57. Një tjetër kenian, Eliud Kipchoge, e uli kohën në 2:01:39 në Maratonën e Berlinit të vitit 2018.