Dallku: Ndihemi të mërzitur, për futbollistët ne kemi bërë planet B dhe C

Dallku: Ndihemi të mërzitur, për futbollistët ne kemi bërë planet B dhe C

Sport April 09, 2020 - 14:14

Trajneri i FC Prishtinës, Armend Dallku, është rrëfyer në një intervistë për "Zëri.info".

Pandemia COVID-19, e njohur si koronavirus, ka bërë që kampionati i Kosovës në futboll të pezullohet, derisa edhe skuadrat e kanë ndalur aktivitetin e tyre, raporton "Zëri.info".

Derisa ende nuk dihet se kur situata do t'i kthehet normalitetit, Dallku ka treguar se si po e kalon këtë periudhë izolimi.

"Normalisht, si të gjithë, të mërzitur.. Në fillim nuk e kisha paramenduar se do të zgjaste kaq shumë. Normalisht, javët e para ishin mendimet se do të kalonte shpejt", ka thënë fillimisht Armend Dallku.

"Mirëpo duhet të mësohemi me rregullat e karantinës. Në javën e parë futbollistëve u kemi rekomanduar të qëndrojnë në shtëpi", tregon më tej ai, duke zbuluar detaje për programin e dhënë ndaj futbollistëve për stërvitje individuale:

"Por më pas u kemi bërë një plan individual deri më 15 prill dhe jemi duke i vëzhguar aq sa kemi mundësi. Të shohim se çfarë do të ndodhë pas kësaj jave, ku mund të bëjmë edhe një program shtesë, sepse rekomandimet e autoriteteve janë të mos grumbullohemi. Mirëpo ne kemi bërë planet B dhe C, që nëse na lejohet grumbullimi me grupe do ta bëjmë. Planin e kemi, nëse na lejohet, do të stërvitemi. Deri në fund të muajit pritet edhe një videokonferencë në UEFA, ku do të vendoset për fillimin e kampionatit, si dhe për një minifazë përgatitore", shtoi Dallku për "Zëri.info". /Zëri.info