Infektuar: 4715
Shëruar: 2227
Vdekur: 101
Hasani përgëzon FHK-në për suksesin e arritur

Hasani përgëzon FHK-në për suksesin e arritur

Sport May 28, 2020 - 20:55

Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) ka marrë një lajm të mirë nga Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF), e cila e ka renditur në një pozitë të mirë në renditjen e IHF-së. IHF-ja ka ndarë ekipet nacionale të meshkujve në tri grupe, ndërsa për bazë janë marrë rezultatet në ngjarjet globale të viteve të fundit.

Përfaqësuesja Kosovës U-21 verën e kaluar për herë të parë luajti në botërorin e juniorëve në Spanjë. Ndërkohë Përfaqësuesja A në janar u rendit në vend të dytë në grup në kualifikimet për Botëror, duke lënë prapa Gjeorgjinë e Italinë. Këto dhe rezultatet tjera kanë bërë që Kosova të jetë në grupin e dytë të ekipeve më të mira kombëtare, atyre të zhvilluara, ku bëjnë pjesë 24 kombëtare.

Kosova është në mesin e 17-40 kombëtareve që përbëjnë këtë grup. Kosova dhe kombëtaret tjera të grupit të zhvilluar, i lënë prapa 169 ekipe kombëtare të grupit të tretë, të kombëtareve në zhvillim.

Në lidhje me këtë sukses, presidenti Hasani ka uruar sot kryetarin e FHK-së, Eugen Saraqini, duke e vlerësuar lart zhvillimin e hovshëm të hendbollit.

“Radhitja në vendin e 40 në renditjen botërore, është e arritur e jashtëzakonshme, andaj në emër të KOK dhe në emrin tim personal, ju përgëzoj juve si president, BE, stafin, por edhe të gjithë komunitetin e hendbollit!”, thuhet në mesazhin e presidentit Hasani.

“Suksesi kurrë nuk është i rastësishëm! Ai vjen vetëm si rezultat i një plani të mirë dhe gatishmërisë e mobilizimit ekipor për arritjen e objektivave strategjike! Shëndet, fat e mbarësi edhe në vitet në vijim!”, ka shkruar më tej presidenti Hasani.

Kryetari i FHK-së, Eugen Saraqini, ka falënderuar të parin e Lëvizjes Olimpike në Kosovë, duke thënë se tri vjet më parë hendbolli ynë ndodhej në mesin e vendeve emergjente, kurse tani ndodhen shumë më lartë.

Për sukseset e vitit të kaluar, Kosova U-21 është vlerësuar nga KOK-u me “Çmimin Special”.

FHK sot mori edhe një tjetër lajm të mirë, pasi Përfaqësuesja e femrave do të garojë direkt në fazën e parë kualifikuese për evropian për botërorin e vitit 2021, pas anulimit të ndeshjeve parakualifikuese, shkaku i pandemisë Covid-19.