Mediumi brazilian shkruan për rikthimin e futbollit kosovar, ndeshjen Prishtina – Drenica, “Plisat” dhe Kosovën
FOTO: EFE

Mediumi brazilian shkruan për rikthimin e futbollit kosovar, ndeshjen Prishtina – Drenica, “Plisat” dhe Kosovën

Sport June 03, 2020 - 09:06

Pas një serie që disa shtete rifilluan aktivitetet sportive gjatë javës së kaluar, ishte radha e Kosovës dje që të vendosej në atë listë.

Në shumicën e vendeve ku ka nisur futbolli, po zhvillohet pa tifozë, ashtu si edhe në Kosovë, por një grup tifozësh qëndruan afër stadiumit “Fadil Vokrri” për ta mbështetur FC Prishtinën, e cila u përball me Drenicën në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës, shkruan mediumi brazilian “Globoesporte”, përcjell “Zeri.info”.

Tifozët duhej të ishin të kënaqur me rezultatin pasi FC Prishtina fitoi me rezultat 3:0 dhe është në avantazh të madh para ndeshjes së kthimit.

Kampionati vendor do të rinis në fundjavë, ku është një garë e ngushtë mes katër skuadrave të para në tabelë.

Image

Kosova është një territor i veçantë jo vetëm në futboll, por edhe në politikë për shkak të konfliktit me Serbinë, nga e cila është pavarësuar në vitin 2008.

Nga atëherë, Kosova është njohur nga shumica e vendeve të Kombeve të Bashkuara, por serbët kërkojnë ende kontrollin në veriun e vendit, shkruan më tej mediumi brazilian.

Me këtë kontekst politik, Kosova arriti të anëtarësohej në FIFA në vitin 2016, duke pasur një ekip përfaqësues dhe një kampionat vendor të njohur nga UEFA.

Image

Ndeshja e parë zyrtare e Përfaqësueses së Kosovës ishte kundër Finlandës, në eliminatoret e Kupës së Botës. Ndeshja përfundoi baras 1:1. /Zeri.info