Batatina pas fitores ndaj Dukagjinit: Jemi afër zonës për Evropë, nuk do të dorëzohemi

Batatina pas fitores ndaj Dukagjinit: Jemi afër zonës për Evropë, nuk do të dorëzohemi

Sport June 05, 2020 - 18:20
Zbuloni detajet

Llapi e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e tretë të garave në Superligën e Kosovës në futboll, me ç’rast ka mposhtur në shtëpi skuadrën e Dukagjinit me rezultat bindës (4-1).

Kryetrajneri i kësaj skuadre, Tahir Batatina, ka mbetur i kënaqur me atë se çfarë treguan futbollistët e tij në këtë ndeshje, ndërkohë që gabimet e bëra në takimin e së premtes (5 qershorit) synojnë që t’i përmirësojnë në ndeshjet e radhës.

“Në këto ndeshje duhet të jesh i vëmendshëm, pasi që gjithmonë rikthimi në futboll pas një kohe është i vështirë. Kishim mundësi edhe të tjera ndoshta për të shënuar, por jemi të kënaqur edhe me këtë paraqitje të futbollistëve. Kemi ende disa mangësi për t’i përmisuar dhe të përgatitemi për ndeshjen e radhës ndaj Drenicës”, deklaroi Batatina fillimisht për “Super Sport Kosova”.

Objektivat e Llapit mbeten të njëjta, ndërkohë që kryeshefi i kësaj skuadre ka qetësuar tifozët e këtij klubit në lidhje me të ardhmen e tyre.

“Qytetarët dhe simpatizuesit e Llapit nuk duhet të shqetësohen për statusin elitar të klubit. Llapi nuk guxon të bie asnjëherë nga liga. Ne jemi afër zonës që dërgon në Evropë, andaj ne nuk do të dorëzohemi deri në ndeshjen e fundit”, ka përfunduar Batatina.

Në takimin e radhës KF Llapi do të ballafaqohet në shtëpi me KF Drenicën.