FIFA propozon bisedime për limitin e pagave dhe të transferimeve

FIFA propozon bisedime për limitin e pagave dhe të transferimeve

Sport June 07, 2020 - 08:37
Lajmet e fundit nga sporti

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka propozuar bisedime me ligat anë e mbanë globit për implementimin potencial të limitimit të pagave dhe të shifrave të transferimeve, derisa vazhdon ndikimi financiar i krizës së koronavirusit, transmeton “Zeri.info”.

Shtëpia botërore e futbollit ka publikuar një video-deklaratë të shtunën, ku ka kërkuar ligat që të punojnë së bashku për zgjidhjen më të mirë për klubet dhe kalendarin e ndeshjeve ndërkombëtare.

FIFA është duke punuar për një pako financiare të cilën pret ta diskutojë me anëtarët dhe ta finalizojë në këshillin e radhës këtë muaj, por bisedimet e fundit me federatat rreth botës kanë sugjeruar që limiti i pagave apo i shifrave të transferimeve mund të kryej punë.

“Në aspektet financiare dhe të qeverisjes, unë gjithashtu kam dëgjuar propozime interesante për një seri çështjesh. Prej limitit të pagave te limiti i shifrave të transferimeve apo mekanizmave të tjera tatimore, deri te obligimi i mundshëm për organet drejtuese, organizuesit e garave dhe klubet që të kenë rezerva apo të kontribuojnë në një fond rezervash që mund të shfrytëzohet për ndihmë në kohë nevoje si tani”, ka thënë presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino./Zëri