Infektuar: 4715
Shëruar: 2227
Vdekur: 101
Agim Ademi i del në mbrojtje Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit: Në 'kuzhinën e Beogradit' po tentohet të njolloset lufta e pastër

Agim Ademi i del në mbrojtje Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit: Në 'kuzhinën e Beogradit' po tentohet të njolloset lufta e pastër

Sport June 30, 2020 - 13:22

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i ka dalur në mbrojtje drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas aktakuzave të fundit të Gjykatës Speciale.

Ditë më parë, gjykata në fjalë ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ish-drejtues të UÇK-së për krime lufte, raporton “Zeri.info”.

Megjithatë, Ademi me anë të një postimi në “Facebook” ka shkruar se “tash kur sukseset e sportistëve tanë janë të njëpasnjëshme, në kuzhinën e Beogradit, po tentohet të njolloset lufta e pastër”.

Postimi i plotë në FFK:

Lufta e pastër dhe sakrifica e popullit tonë e viteve të 90-ta ditëve të fundit ka marrë goditje të rëndë. Çlirimtarët tanë, në radhët e të cilëve ishin edhe shumë sportistë e sportiste, 21 vjet më parë ia kthyen pushkën regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke e mbrojtur pragun e shtëpisë dhe duke luftuar me devotshmëri për çlirimin e Kosovës dhe për lirinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të këtij vendi. UÇK dhe ushtarët e saj zhvilluan luftë të pastër edhe pse nuk ishin të barabartë për nga armatimi me pushtuesin serb. Falë heroizmit e gjakut të luftëtarëve, por edhe mbështetjes së botës së qytetëruar iu dha fund masakrave të regjimit serb mbi popullatën civile shqiptare dhe u arrit shtetësia e vendit tonë, të cilën tash e sa vite po e lartësojnë me suksese të njëpasnjëshme sportistët tanë. Sakrifica e të bërit sport në fusha të improvizuara e të përbaltura është një histori e papërsëritshme, ashtu siç është edhe lufta e drejtë dhe e pastër e popullit tonë. Tani kur sukseset e sportistëve tanë janë mahnitëse dhe gjithnjë e më shumë flamuri i shtetit tonë po pushton arenat ndërkombëtare, madje edhe në vendet që ende nuk na e kanë njohur pavarësinë, ka rifilluar një fushatë e egër kundër simbolit tonë të shenjtë UÇK dhe luftës së drejtë, ku me fakte të fabrikuara në ‘kuzhinën e Beogradit’ po bëhet përpjekje që të njolloset lufta e pastër e popullit të Kosovës për liri.
Në këtë periudhë të vështirë për ushtarët dhe drejtuesit e UÇK-së, të cilët po ballafaqohen padrejtësisht me inicime të aktakuzave për krime lufte, Federata e Futbollit e Kosovës dhe i tërë komuniteti i futbollit shpreh fuqishëm mbështetje për të gjithë ata që kanë kontribuuar që ne sot të jemi lirë dhe të jemi pjesë e dy institucioneve më të mëdha të futbollit, FIFA dhe UEFA
”. /Zeri.info