Lufta për titull në Kosovë, më e 'nxehta' në Ballkan

Lufta për titull në Kosovë, më e 'nxehta' në Ballkan

Sport July 04, 2020 - 21:00

Në Superligën e Kosovës po luftojnë katër skuadra për titullin e kampion. Gara për titull në vendin tonë po del të jetë më e "nxehta" nga të gjitha kampionatet tjera në Ballkan. "Zeri.info" ka analizuar rrjedhën e kampionateve në Shqipëri, Mal të Zi, Greqi, Rumani, Serbi, Bullgari, Kroaci, teksa në Maqedoni të Veriut edicioni 2019/20 është anuluar shkaku i pandemisë COVID-19

Nuk mbahet mend të ketë pasur rivalitet kaq të madh për titullin e kampionit në futbollin elitar kosovar që prej përfundimit të luftës.

Image

Kur jemi te java e 28-të këtë fundjavë dhe pesë xhiro tjera deri në përfundimin e këtij edicioni në Superligën e Kosovës në futboll, katër skuadra po luftojnë me "mish e me shpirt" për titullin e kampionit në Kosovë, raporton "Zeri.info".

Image

Drita, FC Prishtina, Ballkani dhe Gjilani janë në luftë të ashpër për titull, derisa edhe diferenca e tyre mes pikëve në renditjen tabelore është tejet e vogël.

Momentalisht, Drita është në vendin e parë në tabelë me 27 ndeshje të zhvilluara, ku ka grumbulluar 58 pikë, një më shumë se FC Prishtina, e cila renditet në vendin e dytë, ka një ndeshje më shumë dhe është në kuotën e 57 pikëve.

Image

Ndërkaq, Ballkani zë vendin e tretë pas 28 javëve me 56 pikë, teksa Gjilani ndodhet në vendin e katërt me 55 sosh.

Ndonëse rreth tre muaj pauzë shkaku i pandemisë COVID-19 - nga mesi i muajit mars deri në fillim të muajit qershor - kjo nuk ka ndikuar aspak në rrjedhën e kampionatit elitar kosovar, por duket se veçse e ka bërë garën më të fortë.

Duke u bazuar në rrjedhën e edicionit aktual në Superligën e Kosovës në futboll, del të jetë se lufta për titull në Kosovë është më e "nxehta" nga të gjitha kampionatet tjera të futbollit në Ballkan.

Image

"Zeri.info" ka analizuar rrjedhën e kampionateve në Shqipëri, Mal të Zi, Greqi, Rumani, Serbi, Bullgari, Kroaci, teksa në Maqedoni të Veriut edicioni 2019/20 është anuluar shkaku i pandemisë COVID-19.

Tirana shumë pranë titullit kampion, në Maqedoni të Veriut edicioni është anuluar

Në elitën e futbollit shqiptar e njohur ndryshe si Kategoria Superiore, kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në mbylljen e edicionit aktual.

Kur janë zhvilluar 31 xhiro, Tirana po kryeson tabelën me 65 pikë, nëntë më shumë se ndjekësi i dytë Kukësi, dhe 15 më shumë se Teuta e cila ndodhet në vendine tretë.

Image

Tiranës së Emmanuel Egbos i duhen edhe pak pikë që ta vulosë fatin e kampionit për këtë edicion në kampionatin elitar shqiptar të futbollit.

Nga ana tjetër, te shteti ynë fqinj, Maqedonia e Veriut, edicioni aktual është anuluar për shkak të valës së dytë të COVID-19.

Në Mal të Zi dhe Greqi kampioni dihet, në Rumani vazhdon gara mes dy skuadrave

Në kampionatin elitar të futbollit malazez, Buducnosti i Podgoricës veçse e ka vulosur fatin e kampionit.

Kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në përfundim të këtij edicioni, skuadra nga Podgorica renditet në vendin e parë në tabelë me 73 pikë të tubuara, 18 pikë larg vendit të dytë, të cilin e mbanë Sutjeska.

Image

Kurse, edhe gara për vendin e dytë dhe të tretë në Mal të Zi thuajse ka marrë fund, pasi këto dy pozita i kanë "blinduar" Stujeska (55 pikë) dhe FK Iskra (53), që radhiten 14 pikë, respektivisht 12 pikë larg vendit të katërt që e mban Zeta.

Por, tani shkaku i situatës së epidemiologjike, Federata e Futbollit e këtij vendi ka marrë vendim të shtunën që të shtyjë xhiron e ardhshme, por edhe xhirot tjera të kampionatit të futbollit.

Sipas asaj që raporton gazeta “Vijesti” ndeshjet e parapara të luhen të dielën, nuk do të zhvillohen. Vendimi për vazhdim të kampionatit nuk do të merret deri të dihet gjendja epidemiologjike në klubet e Malit të Zi.

Ka qenë një lojtar i Buducnostit që ka dal pozitiv me COVID-19, dhe kjo ka shtyrë që lojtarët, shtabi teknik dhe administrata të jenë në vetëizolim dhe t'i presin rezultatet e testeve.

Image

Edhe në Greqi, fati i kampionit tashmë dihet pasi Olympiacosi radhitet në vendin e parë në tabelë me 81 pikë të tubuara, me 22 pikë larg vendit të dytë të cilin e mban AEK Athina.

Vendin e dytë dhe të tretë në këtë kampionat e mbajnë AEK Athina dhe PAOK-u i Selanikut me nga 59 pikë secila.

Image

Nga ana tjetër, pas pezullimit shkaku i COVID-19, në Rumani skuadrat elitare i kanë zhvilluar nga gjashtë javë, derisa Craicova dhe Cluj janë në krye të tabelës me dy pikë diferencë mes vete.

Kurse, Astra Giurgiu, FCSB, Botosani dhe Gaz Metani po vazhdojnë luftën për vendin e tretë që dërgon në eliminatoret e Ligës së Evropës.

Në Kroaci "ligjin e bën" Dinamo Zagrebi, Ludogoretsi kampion në Bullgari

Kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund, në kampionatin elitar të futbollit kroat, Dinamo Zagrebi edhe zyrtarisht është shpallur kampion i Kroacisë.

Skuadra e madhe kroate pas 32 javësh, ndodhet në vendin e parë në tabelë me 76 pikë të tubura, 18 pikë më shumë se Lokomotiva e Zagrebit, e cila ka tubuar deri më tani 58 pikë.

Image

Në Kroaci, luftë e "nxehtë" po zhvillohet për garat evropiane, ku Lokomotiva, Osijeku, Hajduk Spliti dhe Rijeka po luftojnë për vendet që dërgojnë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, respektivisht në Ligën e Evropës.

Vetëm edhe tri xhiro na ndajnë deri në përfundim të edicionit aktual në elitën e futbollit në Bullgari, ku tashmë Ludogoretsi e ka siguruar titullin e kampionit.

Image

Ludogoretsi pas 28 javësh të zhvilluara, ndodhet në vendin e parë me 68 pikë, me 15 pikë larg vendit të dytë që e mban Levski Sofia.

Ndërkaq, lufta për dalje në Evropë është interesante në kampionatin elitar bullgar, ku Levski, Sofia, CSKA Sofia, Lokomotiva Plodiv dhe Slavia Sofia po luftojnë për të dalur në Evropë.

Monotoni në Serbi

Edicioni 2019/20 i futbollit në kampionatin e Serbisë është mbyllur në fund të muajit të kaluar, ku Crvena Zvezda është shpallur kampion.

Klubi nga Beogradi e ka mbyllur edicionin me 14 pikë para vendit të dytë që e ka mbajtur Partizani i Beogradit.

Image

Në Serbi luftë më interesante kishte për daljen në garat evropiane, ku në fund Partizani i Beogradit dhe Vojvodina u kualifikuan për në eliminatoret e Ligës së Evropës, kurse Crvena Zvezda si kampion doli në Ligën e Kampionëve. /Zeri.info