Përfundon drama në 'Voith-Arena', me ndihmën e Milot Rashicës, Werder Bremeni mbetet në Bundesliga

Përfundon drama në 'Voith-Arena', me ndihmën e Milot Rashicës, Werder Bremeni mbetet në Bundesliga

Sport July 06, 2020 - 22:33

Pas shumë presioneve e kritikave, Werder Bremeni edhe zyrtarisht do të vazhdojë të mbetet pjesë e elitës së futbollit gjerman.

Në ndeshjen e dytë të barazhit të zhvilluar sonte në "Voith-Arena" kundër Heidenheimit, Werder Bremeni barazoi me rezultat 2:2, shkruan "Zeri.info".

Meqenëse ndeshja e parë në "Weserstadion" u mbyll pa gola, Werder Bremeni e fiton këtë përballje falë rregullit të golit si mysafir dhe e vazhdon militimin në Bundesliga.

Pjesa e parë i takoi Werder Bremenit që shënoi edhe golin e epërsisë në minutën e tretë përmes Josh Sargent.

Image

Ndërkaq, në pjesën e dytë, vendasit nisën dominimin dhe në minutën e 85-të, Tim Kleindienst shënoi golin e barazimit 1:1.

Ndërkaq, në minutat shtesë të kohës së rregullt u shënuan edhe dy gola.

Fillimisht, mysafirët shënuan golin e epërsisë përmes Ludwig Augustinsson, kurse Kleindienst shënoi për vendasit nga pika e bardhë për rezultatin 2:2 dhe kështu skuadra e Florian Kohfeldt vazhdon ta ruajë statusin e klubit elitar gjerman.

Milot Rashica u paraqit në këtë ndeshje për Werder Bremenin nga minuta e parë, derisa luajti 80 minuta, duke bërë një paraqitje solide në sulm.

Image

Me gjithë zërat nëpër media, kjo mund të ketë qenë paraqitja e fundit e yllit të Kosovës për Werder Bremenin, për shkak se ai pritet të transferohet diku tjetër në afatin kalimtar veror. /Zeri.info