Batatina premton ndeshje të mira në vazhdim të kampionatit

Batatina premton ndeshje të mira në vazhdim të kampionatit

Sport July 06, 2020 - 23:20

Ndonëse me shumë përforcime në afatin kalimtar veror vitin e kaluar, pa asnjë dyshim të vetëm, dy skuadrat që kanë zhgënjyer më së shumti në elitën e futbollit kosovar këtë edicion janë Feronikeli dhe Llapi.

Feronikeli, kampion në fuqi i Superligës dhe Kupës së Kosovës, e kishte "rrugën e humbur" prej fillimit të edicionit aktual, shkruan "Zeri.info".

Largimet e futbollistëve bazë si dhe ndryshimet e bëra në shtabin teknik - ardhja e trajnerit malazez Dejan Vukiçevic dhe më pas e Agim Sopit - nuk iu përshtat aspak klubit drenicas, i cili dështoi ta vazhdonte shkëlqimin e vitit të kaluar.

Feronikeli tentoi të këndellej me prurjen e trajnerit më të suksesshëm në futbollin kosovar, Afrim Tovërlani, por as kjo gjë nuk funksionoi, derisa tashmë "Nikli" ia ka shuar gjasat përfundimisht edhe për synimin kryesor - daljen në Evropë përmes vendit të dytë në tabelë.

Kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të kampionatit elitar kosovar të futbollit, Feronikeli renditet në vendin e pestë në tabelë me 44 pikë të tubuara, 16 pikë më pak se lideri, Drita.

Nga ana tjetër, ndryshime të mëdha verën e vitit të kaluar bëri edhe Llapi i Tahir Batatinës, por që kjo skuadër asnjëherë nuk arriti t'i përmbushte pritshmëritë e mëdha të tifozëve kundrejt tyre.

Klubi nga Podujeva u përforcua tejmase si në verë ashtu edhe në dimër, por kjo nuk rezultoi të ishte një lëvizje e suksesshme, dhe të paktën edhe për një vit, Llapi nuk do të mund të paraqitet aty ku synon që moti, në Evropë.

Trajneri dhe donatori te klubi i Llapit, Tahir Batatina e ka bërë një analizë të shkurtër në lidhje me dështimin e skuadrës së tij për t'i arritur synimet e vëna në fillim të edicionit.

Ai ka thënë se skuadra e tij kishte bërë paraqitje të mira në ndeshjet e fundit ndaj FC Prishtinës dhe Gjilanit, por ngarkesa e tepërt ndikoi në humbjen 0:4 nga Drita në fundjavë.

"Bëmë dy paraqitje të mira ndaj FC Prishtinës dhe Gjilanit dhe ndoshta lodhja në këto dy derbi dhe kjo e bëri të veten për ndeshjen ndaj Dritës. Në edicionin e parë, Llapi e humbi titullin dhe Kupën pasi nuk kishte portier, por me ardhjen e portierit italian, ai na ka ndihmuar shumë. Ndaj Dritës bëm paraqitjen më të dobët, dhe ndoshta Llapit i duhet një qendërsulmues i cili shënon gola. Presim ndeshje të mira, do të mundohemi të fitojmë sa më shumë pikë në kampionat deri në fund të edicionit", deklaroi të hënën Tahir Batatina për "Zeri.info". /Zeri.info