Miftaraj lë pas lëndimin dhe është gati për “finalet” e FC Prishtinës

Miftaraj lë pas lëndimin dhe është gati për “finalet” e FC Prishtinës

Sport July 06, 2020 - 23:57

Armend Dallku do të ketë një opsion më shumë për formacionin bazë pas rikthimit të Diar Miftarajt. Mesfushori pejan i cili ishte lënduar në ndeshjen ndaj Dukagjinit dhe kishte qëndruar për disa ndeshje jashtë fushave të blerta, tashmë është rikthyer t’i shkelë ato sërish.

Miftaraj e ka kaluar tashmë tërësisht atë lëndim dhe i është bashkuar ekipit me përgatitjet për ndeshjet finale të kampionatit.

Mesfushori i konvertuar në mbrojtës të qendrës, ka marrë “OK” e duhur nga stafi mjekësor dhe tashmë është i gatshëm për ndeshjet finale të kampionatit për kryeqytetasit.

Gjithsesi paraqitja e tij ndaj Gjilanit të mërkurën është ende në pikëpyetje dhe gjithçka do të varet nga vendimi i shefit të shtabit teknik Armend Dallku.

Përveç Miftarajt te Prishtina janë rikthyer nga lëndimet edhe Leonit Abazi dhe Ergyn Ahmeti, ndërkohë të gatshëm priten të jenë edhe Lorik Boshnjaku e Leutrim Bekteshi, të cilët e humbën ndeshjen e fundjavës ndaj Drenicës shkaku i kartonëve të verdhë. /Sheshi