Infektuar: 10988
Shëruar: 6616
Vdekur: 373
Kryeqyteti pa derbi

Kryeqyteti pa derbi

Sport August 01, 2020 - 15:04

Derisa kampionatet elitare të futbollit në rajon dhe më gjerë i kanë ndeshjet derbi lokale, në Kosovë, kryeqyteti do të përballet me një mungesë të tillë nga viti i ardhshëm. Krejt kjo pas rënies së Flamurtarit nga elita. Ish-futbollisti i FC Prishtinës dhe Flamurtarit, Milaim Humolli dhe ish-futbollisti kosovar, Muhamet Dragusha për "Zeri.info" kanë thënë se shpresojnë që kuqezinjtë të rikthehen sa më shpejtë në Superligë

Image

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina do të jetë pa derbi lokal në Superligën e Kosovës në futboll për edicionin 2020/21 pas rënies nga elita të Flamurtarit, raporton "Zeri.info".

Rënia e Flamurtarit, skuadrës që u drejtua nga Sunaj Keqi edicionin që lamë pas, e ka lënë kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën pa derbi lokal.

Kjo nënkupton se vetëm FC Prishtina, klubi më i madh në vend, do ta përfaqësojë kryeqytetin në elitën e futbollit të Kosovës në edicionin e ardhshëm.

Image

Ndonëse derbi lokal mes FC Prishtinës dhe Flamurtarit nuk ka dhuruar ndonjë spektakël viteve të fundit, si në tribuna ashtu edhe në fushën e gjelbër, prapë se prapë mungesa e një derbi lokal në kryeqytet është e madhe.

Image

Ish-futbollisti i FC Prishtinës dhe Flamurtarit, Milaim Humolli si dhe ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Muhamet Dragusha kanë thënë se do të vërehet mungesa e derbit në kryeqytet, por se ata janë të bindur se Flamurtari do të rikthehet shumë shpejt në elitë.

Humolli: Flamurtari një skuadër me traditë, i duhet Superligës

Ish-futbollisti i FC Prishtinës dhe Flamurtarit, tanimë i pensionuar, Milaim Humolli e ka komentuar rënien e kryeqytetasve nga elita.

Ndonëse thotë se nuk ka pasur ndonjë rivalitet mes FC Prishtinës dhe Flamurtarit në derbit e viteve të kaluara, ai thotë se një ndeshje e tillë do t'u mungojë kryeqytetit.

Image

"Flamurtari është një skuadër me traditë që i duhet Superligës. Derbi do të mungojë. Rivaliteti nuk është si më parë, por derbi është derbi, që do t'i mungojë kryeqytetit", ka thënë Milaim Humolli për "Zeri.info".

"Unë kam qenë pjesë e FC Prishtinës dhe Flamurtarit, dhe rivaliteti ka qenë gjithmonë në fushë. Me rënien e Flamurtarit, elitës do t'i mungojë kjo skuadër", tregon më tej Humolli.

Më tej, Humolli i cili i ka fituar të gjithë titujt që mund të fitohen me FC Prishtinën, ka thënë se nuk e ka paramenduar rënien e Flamurtarit nga elita.

"Nuk e kemi paramenduar rënien e Flamurtarit, por rezultatet ndikuan, ani pse pas pandemisë, skuadra bëri lojëra të mira, por në momentet e fundit lëshoi pikë", u shpreh Humolli, futbollisti që përfaqësoi Kosovën para pranimit në UEFA dhe FIFA.

Për fund, ai beson se Flamurtari do të rikthehet në elitë me ardhjen e trajnerit Jusuf Tortoshi.

"Varet prej kryesisë dhe organizimit. Mendoj se me ardhjen e Jusuf Tortoshit, do të rikthehen shumë shpejt në elitë. Tortoshi ka aftësi dhe dituri për ta bërë këtë", përfundoi për "Zeri.info" ish-kapiteni i FC Prishtinës dhe Flamurtarit.

Dragusha shpreson në rikthimin e Flamurtarit

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar dhe njohësi i zhvillimeve të futbollit në vend, Muhamet Dragusha ka thënë se pas rikthimit të Flamurtarit në elitë, vite më parë, derbi me FC Prishinës është ngjallur paksa.

"Një derbi lokal i kryeqytetit ka qenë në mungesë, por prej ardhjes së Flamurtarit në Superligë, u zgjua paksa ky derbi edhe pse nuk ishte ai i zjarrti", u shpreh Muhamet Dragusha për "Zeri.info", duke vazhduar:

"Flamurtari ende nuk ishte ai i duhuri, ai rivalizuesi, ai i frikshmi sikur në kohët e vjetra, por përsëri ishte një gjë e mirë pasi kryeqyteti meritonte një derbi të tillë".

Image

Për fund, Dragusha shpreson se skuadra që sot drejtohet nga Jusuf Tortoshi të rikthehet në elitë.

"Shpresoj që Flamurtari të mbledh forcat dhe të rikthehet sa më shpejt në elitë pasi është një klub me histori të pasur", deklaroi të shtunën Muhamet Dragusha. /Zeri.info