Daku shpërthen në nisje me tre gola, flet për Ballkanin, Grencën dhe dy futbollistë të Prishtinës

Daku shpërthen në nisje me tre gola, flet për Ballkanin, Grencën dhe dy futbollistë të Prishtinës

Sport September 21, 2020 - 10:59
Zbuloni detajet

Sulmuesi i Ballkanit, Mirlind Daku, shkëlqeu në xhiron e parë në Superligë duke shënuar tre gola në duelin kundër Besës së Pejës, në ndeshjen të cilën Ballkani e fitoi me rezultat 4:1 në Pejë.

Daku në Sport Shoë në Klan Kosova ka thënë se goli i parë i pëlqeu pasi sakrifikoi shumë për të.

“Një ndjenjë e mirë të filloj me tre gola, por iu qasëm ndeshjes mjaft mirë dhe jam i kënaqur me atë se çfarë treguam dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu”, tha Daku.

“Më pëlqeu goli i parë që shënova pasi sakrifikova mjaft shumë, ku mbeta për disa qaste i shtrirë në fushë, pasi një nga lojtarët kundërshtar më goditi. Unë falënderoj trajnerin për besimin, pasi mundësia e dhënë bëri që të shënoj tre gola”, pohoi ai.

Daku komentoi edhe skuadrën e Prishtinës. Sipas tij, skuadra "bardhëekaltër" këtë vit është pretendente për titull, pasi ka sjellë disa lojtarë mjaft cilësorë.

“Definitivisht nga futbollistët e Prishtinës e veçoj Otto John pasi është një lojtar mjaft i mirë, por më bën edhe përshtypje futbollisti, Endrit Krasniqi. Prishtina këtë sezon ka marrë një numër të mirë të lojtarëve dhe do të jenë mjaft serioz në luftë për titull”, theksoi lojtari i ardhur nga Osijeku i Kroacisë.

Image

Në fund, për listën e top-shënuesve, Daku tha se nuk do të jetë në garë vetëm ai dhe futbollisti, Bedri Greca, që shënuan nga tre gola në këtë xhiro, por në këtë listë do të jenë edhe shumë lojtarë tjerë nga skuadrat e Superligës.

“Për listën e top-shënuesve nuk do të jemi vetëm unë dhe Greca i Feronikelit pasi edhe skuadrat tjera kanë futbollistë mjaft cilësorë dhe do të jetë një garë e fortë në këtë aspekt”, potencoi Mirlind Daku. /Zeri.info