FBK-ja mirëpret vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për lejimin e aktiviteteve sportive

FBK-ja mirëpret vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për lejimin e aktiviteteve sportive

Sport September 26, 2020 - 11:06

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura.

Ky vendim lejon klubet që të stërviten në palestra, derisa fillimi i stinorit të ri në basketbollin e Kosovës është planifikuar më 14 tetor, me ndeshjet e Superkupës, për të vazhduar më pas me garat në elitë dhe ligat tjera, përcjell "Zeri.info".

“Lejohen aktivitetet sportive në hapësira te mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura, gjatë stërvitjeve mund të marrin pjesë deri në 30 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona, gjithmonë duke u bazuar në Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID19. Matja e temperaturës është e detyrueshme gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive si dhe në hapësirat e hapura sportive”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) iu ka bërë thirrje klubeve, trajnerëve e lojtarëve të respektojnë masat nga Qeveria e Kosovës.

"Njëkohësit FBK-ja ka përgatitur Deklaratën që duhet të nënshkruajnë akterët në basketboll para fillimit të garave, ku zotohen se do t’i respektojnë masat", shkruan FBK në rrjetet sociale.

"FBK-ja ka përgatitur me kohë Udhëzuesin, që klubet duhet t’i përmbahen si në stërvitje, po ashtu edhe kur të fillojnë garat zyrtare. Duke respektuar rregullat mbrojmë njëri-tjetrin, por edhe lejojmë që garat të zhvillohen dhe të mos ndërpriten më", thuhet më tej.

Udhëzuesi për rikthimin në fushat e basketbollit mund ta gjeni në faqen zyrtare të FBK-së. /Zeri.info