Superliga pa identitet, luhet me topa të ndryshëm
FOTO: Laura Hasani

Superliga pa identitet, luhet me topa të ndryshëm

Sport October 26, 2020 - 12:46
Detajet

Përderisa në vendet evropiane, por edhe në ato të rajonit, klubet elitare luajnë me një top të vetëm, në Kosovë ndodh e kundërta.

Klubet e Superligës së Kosovës në futboll luajnë me topa të ndryshëm.

Federata e Futbollit e Kosovës u ka dalë në ndihmë klubeve, duke u shpërndarë topa, por ata nuk po përdorën për ndeshjet e Superligës.

Ky fakt po u shkakton shumë probleme futbollistëve në ndeshje. Ata duhet të adoptohen në secilën lojë me një top të ndryshëm.

Besnik Krasniqi: Nuk është e lehtë të adaptohesh me topa të ndryshëm në secilën ndeshje

Futbollisti i FC Prishtinës, Besnik Krasniqi, njëri ndër lojtarët më me përvojë në elitën e futbollit kosovar, vlerëson se po qe se do të luheshin të gjitha ndeshjet me një top, do të ishte shumë më mirë dhe me lehtë për futbollistët.

“Kur mësohesh me një top ose stërvit me një top dhe kur shkon të luash si mysafir me një top krejt tjetër të nevojitet paska kohë që të përshtatesh me topin e ri. Po qe se do të luanim të gjitha klubet me një top do të ishte shumë më mirë për të gjithë”, ka thënë Besnik Krasniqi të hënën në një prononcim për “Zeri.info”.

Image

Tovërlani: Kjo është dukuri negative, nuk guxon të ndodhë, topat që FFK-ja ua ka dhënë klubeve nuk janë të cilësisë së mirë

Trajneri i suksesshëm i futbollit kosovar, Afrim Tovërlani, vlerëson se zhvillimi i ndeshjeve me topa të ndryshëm është një dukuri shumë negative.

“Kjo është një dukuri shumë negative dhe nuk guxon të ndodhë. Në fakt, Federata e Futbollit e Kosovës ua ka shpërndarë klubeve tona topat e njëjtë, por që nuk kanë cilësi dhe klubet nuk janë të obliguara që t’i zhvillojnë ndeshjet me ata topa”, deklaroi për “Zeri.info” Afrim Tovërlani.

“Nëse tërë javën futbollisti ushtron me një top dhe ndeshjen e zhvillon me një top tjetër, atëherë është e sigurt se do të ketë pengesa të mëdha. FFK-ja do të duhej të zgjidhte topa të mirë dhe t’i obligonte klubet që me të njëjtit t’i zhvillojë ndeshjet. Te ne nuk i jepet shumë rëndësi topit, po kjo është kruciale dhe faktor determinant në një rezultat”, vlerësoi ish-trajneri i disa skuadrave kosovare, Afrim Tovërlani.

Image

FFK: Na duhet një sponsor

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, thotë se një sponsor do ta zgjidhte këtë çështje.

“Momentalisht nuk e kemi një sponsor që do t’ua obligonte klubeve të luajnë me një top të vetëm në secilën ndeshje. Nëse na ofrohet ndonjë sponsor mund të rregullohet kjo çështje”, ka thënë Eroll Salihu për “Zeri.info”.

Ai ndër të tjera pohon se shtëpia më e madhe e futbollit kosovar u ka dalë në ndihmë klubeve edhe sa u përket topave.

“Ne u kemi shpërndarë klubeve edhe vitin e kaluar, edhe sivjet topa, por ato nuk po i përdorin për ndeshje. Është dëshirë e vet klubeve se me cilët topa dëshirojnë të luajnë”, përfundoi Eroll Salihu. /Zeri.info

Image