Fillimet e karrierës dhe sekretet e garave të shpejtësisë, rrëfehet Lirim Zendeli

Fillimet e karrierës dhe sekretet e garave të shpejtësisë, rrëfehet Lirim Zendeli

Sport October 29, 2020 - 23:33

Lirim Zendeli është piloti i parë shqiptar që merr pjesë në garat e shpejtësisë dhe sezonin e fundit ka qenë pjesë e Formulës 3, ndërsa prej javësh ka nisur një tur promovimi në Shqipëri, prej ku kërkon mbështetje për të garuar në nivele edhe më të larta, pse jo në Formulën 1.

Pasditen e sotme Lirim Zendeli ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Time” në Supersport, ku ka zbuluar detaje nga karriera e tij dhe planet për të ardhmen, ndërsa ka marrë si dhuratë edhe një aparat Digitalb, për të pasur Shqipërinë me vete edhe në Gjermani, ku jeton.

Cila është arsyeja që po vini kaq shpesh në Tiranë?
Arsyeja është për të promovuar më shumë këtë sport, jo se njerëzit nuk e njohin, por më herët nuk ka pasur asnjë pilot shqiptar më parë. Gjithashtu më duhet të takoj edhe disa njerëz…

Menduam mos ke rënë në dashuri, që vjen më shpesh këtu…
E para herë që erdha, ishte para pak javësh, por është shumë bukur këtu dhe besoj se do të ketë edhe të tjera arsye për të ardhur më shpesh.

Keni takuar politikanë e shumë personazhe. Cili të ka bërë më shumë përshtypje?
Jam shumë mirënjohës që më është dhënë mundësia të takoj këto njerëz. Takimi me Ramën ishte një diçka shumë e rëndësishme për mua, pasi ai më dha fjalën që do të më ndihmojë në këtë rrugë, që nuk është aspak e lehtë. Jam takuar me Lorikun, me Noizy-n dhe shumë personazhe të tjerë, që disa vite më parë nuk e mendoja se do t’i takoja ndonjëherë.

Sezoni ka përfunduar tashmë. Kur do të riktheheni sërish në pistë?
Ka mundësi që të rikthehemi që në dhjetor për testime dhe do të vijojmë kështu edhe në janar e shkurt, por zyrtarisht sezoni i ri do të startojë në muajin mars.

Si është faza përgatitore për pilotët?
Punojmë shumë edhe për aspektin fizik, pasi në Formula 3 bëhet gjithçka e vështirë nëse je mbi 75 kilogram, unë jam larg asaj peshe, por sa më i lehtë të jesh, aq më të lehtë e kanë inxhinierët të punojnë me makinën.

Cila është dieta e një piloti?
Në fakt e kam të lehtë, sepse ha çdo gjë, por nuk kam shtuar në peshë. Aktualisht nuk ha asnjëherë në “fast-food”, sepse nuk ma kërkon as trupi. Më shumë preferoj sallatat dhe mishin e pulës.

Na fol pak për skuadrën?
Sakrifica më e madhe në këtë sport është financimi, sepse pa para nuk udhëton në Formulën 1. Kam një ekip të madh që punojnë me mua, si në aspektin mendor, atë fizik, dietologjik, etj. Më kryesor është sponsori, që është Sali Ajdini dhe që më ka mundësuar garimin.

Si kanë qenë raportet me femrat, që kur jeni bërë i famshëm?
Është një sport i bukur, që të jep goxha famë, por nuk të lë shumë kohë. Kam pasur mbështetje nga Shqipëria edhe më herët, por që kur kam ardhur këtu, gjithçka ka shkuar shumë më mirë.

Si ka nisur rrugëtimi juaj në këtë rrugë?
Si çdo sportist, e kam filluar me karting, ku kam treguar rezultate shumë të mira dhe më pas në 2018-ën kam fituar edhe në Formula 4, ndaj edhe babi im më ka mbështetur shumë dhe nuk e ka menduar asnjëherë tërheqjen. Nuk jemi një familje e pasur dhe ka qenë e vështirë, por familja më ka ndihmuar shumë. Në këtë sport ecën përpara vetëm me investime. Me talent mund të marrësh oferta më të mira nga skuadrat e njohura, por pa investime talenti nuk vlen aspak. Kur garoj të dy prindërit vijnë të më ndjekin në pistë.

Për të krijuar një ide, sa mund të harxhosh në një vit për të garuar, duke llogaritur këtu të gjithë përgatitjet e nevojshme?
Shifrat janë shumë të larta dhe shumë prej shikuesve nuk mund ta imagjinojnë, por duke kaluar nga Formula 3 në Formulën 2, do të duhen rreth 2 apo 3 milionë euro në vit.

Sa e rrezikshme është të garosh në këtë lloj sporti?
Ka masa të shumta sigurie dhe është shumë e rrallë që të ndodhë diçka e rëndë. Nëse je duke ecur me 200 km/orë, makina shtypet vetë 30 centimetra dhe kjo shpjegon që nuk ka shumë rrezikshmëri.

Gjermania duket se po shkon drejt mbylljes për shkak të pandemisë… Ti je fans i jetës së natës?
Po, po shkohet drejt një mbylljeje të lehtë, ashtu siç po shkohet në të gjithë botën mesa po shohim. Unë kam qejf të dal e të pi, por gjithmonë kur kam kohë dhe nuk cënoj regjimin sportiv.

Cila ka qenë shpejtësia më e madhe që keni regjistruar deri tani?
Shpejtësia më e madhe që kam regjistruar në Formula 3, ka qenë 306 km/orë.

Keni patentë për drejtimin e makinës?
Aktualisht kam patentë, por kur isha në Formula 4 dhe makinat shkonin deri në 250 km/orë, nuk kisha patentë.

Do të vazhdosh me “trident” edhe këtë sezon?
Kam ofertë nga “Trident”, por edhe nga ekipe të tjera një shkallë më lart, në Formulën 2. Dua shumë dhe shpresoj që të bëj hapin drejt Formulës 2, por shumë shpejt, brenda dy javësh mund të them diçka më tepër për këtë.

Cili është dallimi mes Formulës 3 dhe Formulës 2?
Në Formulën 2 fuqia e motorëve të makinave është shumë më e madhe dhe është një hap i rëndësishëm. Jo shumë në nivelin e performancës, pasi edhe në Formula 3 ka shumë shpejtësi, por më shumë në aspektin e imazhit.

Cili është personazhi shqiptar apo i huaj, që dëshiron ta takosh?
Të them të drejtën kam takuar të gjithë pilotët e Formulës 1, por ende nuk kam takuar idhullin tim, Lewis Hamilton.