Stadiumi i Llapit po merr pamje moderne

Stadiumi i Llapit po merr pamje moderne

Sport October 30, 2020 - 13:12

Stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë, aty ku ndeshjet i zhvillon skuadra e Llapit, po merr formë mbresëlënëse kohëve të fundit.

Ndonëse vite më parë dukej në gjendje të mjerueshme, familja Batatina e cila e drejton klubin llapjan, ka përmirësuar edhe infrastrukturën në stadium me ndihmën e instuticioneve lokale e qëndrore, raporton "Zeri.info".

Gjatë ditës së djeshme (e enjte) ka përfunduar vendosja e ulësve në tribunën jugore, ku janë vendosur gjithsej 1160 ulëse, megjithatë projekti në fjalë parasheh që në stadium të vendosen rreth 3500 ulëse.

Image

Zëdhënësi i Llapit, Petrit Miftari, ka bërë me dije se në gjithë hapësirat e stadiumit do të ketë ulëse.

Në një prononcim për "Zeri.info", ai ka thënë se nga sot do të nis edhe vendosja e ulëse në tribunat tjera.

“Dje (e enjte) ka përfunduar vendosja e ulësve në tribunën jugore. Kjo tribunë i ka zënë 1160 ulëse. Nga sot ka nisur vendosja e ulësve në tribunën perëndimore, pastaj në fund në atë veriore”, ka deklaruar Petrit Miftari.

Zyrtari i klubit nga Podujeva ka bërë ne dije se pas një memorandumi bashkëpunimi, shumë shpejt ky projekt do të marrë fund.

Image

“Tashmë është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit me MKRS-në dhe Komunën e Podujevës andaj shumë shpejt pritet të nisin punimet në atë pjesë për t’u kompletuar i gjithë stadiumi", tregon më tej Miftari.

Ai thotë se në këtë projekt kanë investuar MKRS-ja, Komuna e Podujevës si dhe FFK-ja.

Image

“Investitori është MKRS-ja me Komunën e Podujevës si dhe FFK-ja, por krejt kjo është bërë e mundshme falë familjes Batatina dhe investimeve të tyre. Siç dihet në shumë stadiume të Kosovës punimet nisin e ngecin, por kjo nuk ndodhë në “Zahir Pajaziti”, përfundoi të premten për "Zeri.info" Petrit Miftari. /Zeri.info

Image