Challandes rrëfehet për “Zërin”: Nëse ndaj Sllovenisë, Greqisë dhe Moldavisë do të luanim para tifozëve tanë, do t’i fitonim të tria ndeshjet
FOTO: Laura Hasani

Challandes rrëfehet për “Zërin”: Nëse ndaj Sllovenisë, Greqisë dhe Moldavisë do të luanim para tifozëve tanë, do t’i fitonim të tria ndeshjet

Sport November 24, 2020 - 19:28
Image

Ndryshe nga viti i kaluar, kur rezultatet dhe paraqitjet ishin në nivelin më të mirë të mundshëm, Përfaqësuesja e Kosovës këtë vit ishte poshtë pritshmërive.

Skuadra që drejtohet nga trajneri zviceran Bernard Challandes pati një kampanjë të dobët në Ligën e Kombeve, duke e mbyllur grupin C3 me vetëm një fitore, dy barazime dhe tri humbje.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Kosova e humbi edhe rastin e artë për t'u kualifikuar në kampionatin evropian "Euro 2020" përmes fazës "play-off" të Ligës së Kombeve, ku në muajin tetor u mposht nga Maqedonia e Veriut (2:1) në Shkup.

Gjithë kësaj i kontribuoi më së shumti situata me pandeminë COVID-19, e cila e ka kapluar globin, por edhe futbollistët e lënduar, që e lanë Kosovën të hendikepuar në ndeshjet më të rëndësishme të këtij viti, derisa tifozët kanë mbetur plotësisht të zhgënjyer.

Image

Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, në një intervistë për “Zeri.info” është rrëfyer gjerë e gjatë në lidhje me situatën e tij shëndetësore pas infektimit dhe shërimit nga COVID-19, atmosferën te Përfaqësuesja, prurjet e reja, prezencën e Mirlind Dakut dhe Armend Thaqit, të ardhmen e tij, si dhe për “problemin” me futbollistin pejan, Bernard Berisha.

Nuk mundët ta drejtonit Kosovën në ndeshjet e nëntorit për shkak të koronavirusit, tani është konfirmuar se jeni shëruar, sa ishte e vështirë beteja me këtë virus?

Challandes: Unë nuk kam simptoma, gjë që nënkupton se jam shëruar tani pas dy javësh në karantinë. Nuk ishte e vështirë për mua sa i përket shëndetit tim, ishte e vështirë sepse nuk mund ta drejtoja skuadrën. Nuk mund të isha me skuadrën, për gjërat e tjera nuk ishte serioze, nuk kisha simptoma, nuk isha i sëmurë, por nuk mund të punoja, ky është problemi.

Image

Kosova regjistroi vetëm një fitore në këtë vit kalendarik, një koment për paraqitjet në këtë vit?

Challandes: Nuk ishte një vit, i dëgjoj gazetarët duke thënë se ishte një vit, ishte shtatori, tetori dhe nëntori. Nuk kemi luajtur në mars, si dhe në qershor. Për mua është tregim tjetër. Për mua ky ishte vit i veçantë. Gjithçka fillon me ndeshjen në Parma ndaj Moldavisë, nuk arritëm të stërviteshim së bashku, ishte pothuajse një cirk. Nuk kemi luajtur ndeshje të këqija, por as të mira jo. Nëse do të luanim ndaj Moldavisë dhjetë ndeshje, nëntë do t'i kishim fituar sigurt. Moldavia ka luajtur shumë mirë, nuk e dini, por e kam një statistikë të tyre se kanë vrapuar 125 kilometra, është e pabesueshme. Kjo nënkupton se nuk ishte ndeshje e lehtë. Por duhej të fitonim. Më pas kemi humbur nga Greqia, e cila ka skuadër të mirë dhe nivel të lartë në Evropë. Ne jemi në Ligën C dhe kjo nënkupton se nuk është kaq e lehtë sa në Ligën D. Në këtë situatë askush nuk e ka fokusin te Liga e Kombeve, fokusi ishte te ndeshja me Maqedoninë e Veriut, por fatkeqësisht ishte keq për ne. Kishim probleme me mungesat e Milot Rashicës, të Vedat Muriqit e të tjerëve. Nuk kemi bërë ndeshje të mirë, ishte vit i keq. Por më herët kemi pasur edhe ndeshje të mira, si ndaj Republikës së Çekisë në shtëpi, ku fituam 2:1, por futbolli nganjëherë është me ju, nganjëherë është kundër jush. Ndaj Shqipërisë bëmë ndeshje të keqe, nuk e kuptoj pse. Nuk e kam njohur skuadrën time, isha i pakënaqur. Më pas ndeshja me Slloveninë ishte e mirë, për mua ishte 1:1, pasi penalltia ishte skandaloze. Në ndeshjen ndaj Moldavisë ishte e nevojshme të fitonim, për mua nuk ishte vit i mirë, pra këta tre muaj nuk ishin të mirë, por duhet ta pranojmë situatën dhe ta analizojmë pse. Arbër Zeneli, Vedat Muriqi dhe Milot Rashica nuk kanë qenë në formë të mirë, por në rregull, ne kemi edhe futbollistë që kanë luajtur mirë, si Ibrahim Dresheviqi. Unë mendoj se kjo është fazë zhvillimi dhe nuk mund të ketë vetëm progres, progres dhe progres. Duhet të mësojmë për të ardhmen për të qenë të fortë për kampanjën e ardhshme.

Image

A mendoni se lëndimet e futbollistëve dhe situata me pandeminë COVID-19 ishin arsyeja kryesore e rezultateve negative në muajt e fundit?

Challandes: Edhe çështja e transferimeve ishte situatë e keqe, sepse disa futbollistë donin të ndryshonin skuadrën dhe COVID-19 shkaktoi shumë probleme, por edhe lëndimet. Pas lëndimeve të gjata, ata kishin nevojë për kohë. Më pas, gazetarët harrojnë gjithçka. Skuadra nuk ishte në formën e njëjtë si para një viti, nuk dua të justifikohem, por duhet të flasim me fakte. Qartësisht, nuk ishin tre muaj të mirë për ne. Nuk ishin rezultate të këqija, vetëm një rezultat i keq - ndaj Maqedonisë së Veriut. Ne jemi Kosova, nuk jemi Franca ose Gjermania. Ne humbën 1:0 nga Sllovenia dhe 2:1 nga Greqia, ata kanë skuadra të mira. Jam i pari që mendoj mirë për skuadrën time, gazetarët dinë të jenë negativë, problemi nuk ishte rezultati, por mënyra sesi kemi luajtur. Askush nuk ka folur për këtë situatë. Nëse ndeshja mbyllet 0:0, 1:1 ose 0:1, atëherë kjo nënkupton se keni problem me sulmin. Ne e dimë pse kemi problem në sulm, është e qartë për mua. Nuk isha i zhgënjyer me rezultatet, natyrisht kishim mundësi të kemi pikë më shumë, por problemi për mua është loja. Nuk duhet të flasim shumë. Problemi im si trajner është të gjejmë zgjidhjen për ngecjen e sulmit. Ndaj Moldavisë kishim tri-katër mundësi shënimi, por në fund fituam vetëm me një gol të shënuar. Në eliminatoret e Kampionatit Evropian kemi luajtur me më shumë liri, kemi qenë të lirë, kemi luajtur pa e menduar rezultatin, e mbani mend ndeshjen ndaj Anglisë, ishim të çmendur dhe tani në këtë periudhë kemi humbur disa lojtarë për disa arsye. Kemi humbur vetëbesimin, por ky është futbolli. Për mua si trajner duhet ta gjejmë problemin. Ne duhet të mendojmë vetëm të luajmë futboll.

Image

Për ndeshjet e nëntorit keni ftuar dy futbollistë nga Superliga e Kosovës, Mirlind Dakun dhe Armend Thaqin, si i vlerësoni paraqitjet dhe punën e tyre në stërvitje?

Challandes: Për Dakun, ai po bën edicion të mirë, ai ka shënuar dhe është i ri. Kjo nënkupton se ai e meritoi këtë ftesë. Daku ka stërvitur mirë dhe ka qenë për herë të parë me skuadrën dhe ishte eksperiencë e mirë për të. Fatkeqësisht nuk kam qenë në stërvitje shkaku i virusit, por kam dëgjuar nga ndihmësi im se ka bërë punë të madhe me skuadrën. Dhe në fund, ne morëm Armend Thaqin sepse kishim probleme me lëndimet. Ne e njohim Thaqin, nuk ishte hera e parë për të, ai ishte në Katar, ai e njeh skuadrën dhe ishte mirë për të. Asnjë problem. E them gjithmonë se nuk është problemi se ku luan kur ftojmë futbollistë.

A keni ndonjë plan të ndryshoni diçka në skuadër për ndeshjet e ardhshme në vitin 2021?

Challandes: Është herët të mendoj për skuadrën, unë shpresoj se futbollistët të luajnë mirë me skuadrat e tyre dhe të mos kenë lëndime. Së fundmi ne e morëm Betim Fazlijin në skuadër. Ai është i ri dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Pastaj kemi edhe disa futbollistë në grup-moshat e reja të Gjermanisë dhe Zvicrës që duan t’i kryejnë kampanjat eliminatore, por më pas do të shohim se si do të vendosin - për Gjermaninë, Zvicrën ose Kosovën. Ne ndjekim disa futbollistë edhe në vende tjera të Evropës dhe trajneri e ka për të detyrë t'i shohë paraqitjet e tyre. Është herët ta bëjmë skuadrën tani për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Ne kemi bërë analiza të futbollistëve në të gjitha aspektet individuale dhe dua më të mirën për Përfaqësuesen e Kosovës. Do të jenë eliminatore të vështira, do të kemi kundërshtarë të vështirë. Ky vit ishte i komplikuar, por imazhi i Kosovës nuk është i keq, duhet të vazhdojmë të kemi progres dhe të luajmë futboll të bukur. Për mua është shumë e rëndësishme të luajmë në Kosovë para tifozëve tanë, nëse flisni për arsyen e sukseseve, nëse do t'i kishim tifozët në ndeshjet ndaj Sllovenisë, Greqisë dhe Moldavisë, do t'i fitonim të tria ndeshjet. Mbështetja nga tifozët është e jashtëzakonshme nga skuadrat, shpresojmë se në vitin e ardhshëm do të luajmë para tyre.

Sa janë të nevojshme ardhjet e futbollistëve të rinj para ndeshjeve të vitit të ardhshëm?

Challandes: Nuk është çështja vetëm të sjellim futbollistë të rinj, duhet të kemi cilësi. Nëse gjejmë futbollistë më të mirë nga ata që kemi, atëherë kjo është gjë e mirë. Nëse një futbollist luan për Gjermaninë U-21, është kandidat për ne, por jo ndonjë futbollist që luan në divizion të ultë. Unë nuk kërkoj futbollistë të tjerë, unë shpresoj se ne mund të marrim lojtarë të mirë për Kosovën. Punë kryen vetëm cilësia, kjo e shton konkurrencën. Nëse do të kishim më shumë lojtarë cilësorë ndaj Maqedonisë së Veriut ndoshta do të fitonim. Por pa Vedat Muriqin nuk është skuadra e njëjtë. Ne kemi vetëm një Muriq. Nëse do të kishim dy “Muriq”, do të ishte më ndryshe. Por kemi futbollistë që luajnë në kampionate të mira. Më e rëndësishmja është të luash dhe jo të jesh në skuadra të mira. Ne si Përfaqësuese kemi tërhequr interesimin e futbollistëve të mirë. Ka shumë futbollistë të mirë që mund ta zgjedhin Kosovën. Tani i kam përcjellë të gjithë futbollistët kandidatë për Kosovën, e kam listën e pesë ose gjashtë lojtarëve që nuk luajnë për ne, por që mund të jenë kandidatë për të ardhmen. Mund të them se jam i interesuar në këtë drejtim. Ne do të kemi skuadër të mirë në mars.

Image

Si ishte viti 2020 për Bernard Challandesin në përgjithësi?

Challandes: Ishte vit i mirë për mua si person, por jo si trajner, sepse nuk kemi luajtur në mars. Dhe në këtë situatë nuk kemi bërë ndeshje të mira, ishte situatë e keqe. Kam filluar të punoj te Kosova me një ëndërr - të shkojmë në Kampionatin Evropian nëse e fitojmë grupin, por nuk e arritëm. Nuk mund të jem i lumtur tani. Para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut nuk është folur shumë për futboll, por për koronavirusin, për lirinë e lëvizjeve, lejet nga UEFA, FIFA e të tjera gjëra që lidhen me pandeminë. Nuk ishte futboll, ishte situatë e keqe për trajnerët të përballen me këtë situatë. Nuk ishte vit i mirë për mua si trajner, por nuk jam i vetëm. Ishte vit i vështirë edhe për futbollistët dhe klubet shkaku i COVID-19. Por, kam mbijetuar me skuadrën dhe shpresoj se në vitin e ardhshëm të jemi më të fortë.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, tha se mund të ketë ndryshime në ekipet nacionale të Kosovës, duke ju përfshirë edhe juve, komenti juaj?

Challandes: Nuk komentoj diçka të tillë. Sipas meje, është vetëm spekulim i gazetarëve dhe unë nuk flas për spekulime të gazetarëve. Nuk është kurrë një gjë e tillë në kokën time.

Gjatë kësaj kohe a e keni menduar largimin?

Challandes: Po, qartësisht po. Ju gazetarët flisni për humbjet nga Sllovenia ose Greqia, puna për dy vjet e gjysmë harrohet. Jo, ju lutem. Unë punoj me skuadrën dhe është e vështirë të jesh trajner. Jam me skuadrën dhe duhet të jemi të gatshëm për kampanjën e radhës.

Për eliminatoret e Kampionatit Botëror preferoni ndonjë Kombëtare në short?

Challandes: Nuk kam ide. Ne e dimë se do të kemi kundërshtarë të mirë, të fuqishëm dhe për mua do të përballemi me çfarëdo që vjen. Nuk preferoj këtë skuadër, atë skuadër ose diçka të tillë.

Bernard Berisha nuk ishte i ftuar për ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut dhe dy ndeshjet e tjera të tetorit, a mendoni se ishte vendim i duhur?

Bernard Challandes: Qartësisht po, unë mendoj kështu. Unë e kam marrë këtë vendim dhe e di se pse. Më pas, në rregull. Ishte situatë e veçantë brenda familjes sonë. Bernardi ishte i ftuar në ndeshjet e fundit dhe isha i lumtur me të. Edhe në fundjavë ai shënoi me skuadrën e tij. Nuk ka problem, kjo mbetet mes trajnerit dhe futbollistit. Ka nganjëherë keqkuptime në mes të futbollistëve dhe trajnerit, por kjo është normale. /Zeri.info