Devolli: Ne ia dhuruam fitoren kundërshtarit, ata nuk na shënuan golat

Devolli: Ne ia dhuruam fitoren kundërshtarit, ata nuk na shënuan golat

Sport November 26, 2020 - 15:14
Detajet

Trajneri i Drenicës, Bledar Devolli është parë i pakënaqur pas përfundimit të ndeshjes ndaj Ballkanit (humbje 1-2), teksa disfata ka lënë shije të hidhur në kampin e “kuqezinjëve”.

Devolli tha se merr përgjegjësitë për këtë disfatë, ndërkohë që flet edhe për zëvendësimet e bëra në pjesën e parë.

“Gjërat nuk shkuan mirë dhe për këtë unë marr përgjegjësitë i pari. Ne i’a dhuruam fitoren kundërshtarit, ata nuk na bënë golat, ne i bëmë vet dhe për këtë më vije shumë keq, pasi kemi pranuar gola cinik. Ne kemi lozur futboll vetëm në 15 minutat e fundit të ndeshjes. Vumë në vështirësi Ballkanin dhe i realizuam gol. Po të kishim realizuar më herë, tani do flisnim ndryshe pas ndeshjes”, deklaroi Devolli fillimisht për “Art Sport”.

Tekniku karizmatik i Drenicës foli edhe për përplasjen që pati pas pjesës së parë me mbrojtësin Valdo Zeqaj, teksa tha se preferon që gjërat t’i mbante brenda shtëpisë së tyre.

“Nuk kam ndonjë koment për këtë. Gjërat e shtëpisë i mbajmë në shtëpi dhe nuk i nxjerrim në pazar. Unë u kam treguar futbollistëve që nga dita e parë që jam këtu, dua punë, disiplinë dhe harmoni”, përfundoi Devolli.

Drenica pavarësisht disfatës vazhdon të qëndrojë në pozitën e pestë të renditjes tabelare me 18 pikë.

Në xhiron e radhës, ekipi i Bledar Devollit do të luajë sërish në shtëpi, teksa e pret skuadrën e Llapit.