Gashi: Trajneri i Besës e bënte veten 'profesor' dhe e vlerësonte Superligën 'hajgare'

Gashi: Trajneri i Besës e bënte veten 'profesor' dhe e vlerësonte Superligën 'hajgare'

Sport November 29, 2020 - 18:34

Besa e Pejës është një ndër klubet emblemë të futbollit e Kosovës. Klubi me shumë histori në futbollin tonë në këtë edicion është "katandisur" me rezultate të dobëta.

Organizimi i brendshëm, infrastruktura dhe financat nuk po i mungojnë Besës së Pejës në këtë edicion, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për rezultate, raporton "Zeri.info".

Me disa futbollistë "adoleshentë" 16-17 vjeçar, klubi po kërkon rezultate dhe talentë, por deri më tash asgjë s'po del në dritë.

Besa e Pejës në krye me kryetarin Ylli Kullashi, prezantoi projekt të ri para fillimit të edicionit duke investuar sidomos te futbollistët e rinjë teksa klubi po drejtohet një francez "anonim" si Jerome Klein.

Skuadra nga Rrafshi i Dukagjinit pas 15 ndeshjeve të zhvilluara në Superligën e Kosovës ka tubuar vetëm gjashtë pikë dhe është "gozhduar" në fund të tabelës.

"Zeri.info" ka tentuar të bisedojë me drejtuesit e klubit pejan, por të njëjtin kanë vlerësuar se është më mirë të mos e komentojnë situatën aktuale në të cilën ndodhet skuadra e Besës.

Skuadra buzë bjeshkëve të Rugovës është klubi i dytë më i trofeshëm në vend dhe pozita momentale nuk i shkon për shtati.

LEXO EDHEKlubi emblemë në futbollin e Kosovës me të cilin po bëhen eksperimente!

Kështu të paktën vlerësojnë njohës që këtij klubi i kanë kontribuuar tejmase.

Njëri ndër futbollistët më me përvojë në futbollin e Kosovës është Dugagjin Gashi, i cili një pjesë të madhe të karrierës së tij e ka kaluar me klubin me traditë të madhe, Besa e Pejës.

Gashi e ka kritikuar qasjen e skuadrës pejane në Superligën e Kosovës në këtë edicion duke thënë se kjo që po ndodhë me Besën është "mëkat i madh".

"Nuk ka qenë në rregull të qaset me këtë skuadër Besa në elitë. Besa është klubi i dytë më i trofeshëm dhe ka qenë një qasje e gabuar e Besës. Nuk është në rregull me këtë emër që e ka do të ishte në rregull nëse do të ishte ndonjë skuadër tjetër, por jo Besa. Nuk ka gjasa që Besa të mbetet në Superligë", thotë "Dugi" për "Zeri.info".

Tutje, ai ka kritikuar edhe trajnerin francez Jerome Klein. Sipas tij, Klein e quante veten "profesor" si dhe e ka nënvlerësuar Superligën e Kosovës.

"Puna e Besës në Superligë është kryer. Është mëkat të investohet vetëm në futbollistë juniorë. Ai ka mundur ta bëjë një skuadër stabile, së paku me mbet në Superligë e jo me 16 apo 17-vjeçarë. Trajneri e bënte veten profesor dhe e vlerësonte Superligën 'hajgare', por kjo ligë është nivel i lartë. Është mëkat për këtë klub. Këta drejtuesit e klubit mburren me titujt e fituar nga ne", përfundoi për "Zeri.info" Dugagjin Gashi. /Zeri.info