Remzi Ejupi: Ata që mendojnë ndryshe largohen e dënohen nga Agim Ademi, ndryshimet janë të domosdoshme

Remzi Ejupi: Ata që mendojnë ndryshe largohen e dënohen nga Agim Ademi, ndryshimet janë të domosdoshme

Sport January 19, 2021 - 18:09
Zbuloni detajet

Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, ditë më parë u dënua nga Federata e Futbollit e Kosovës me mos-kryerje të detyrës në raport me FFK-në për një vit, shkruan Zeri.info.

Ejupi që është kontribuuesi më jetëgjatë në futbollin e Kosovës sipas FFK-së u dënua për shkak të disa deklaratave në medie në lidhje me ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës.

Presidenti i prishtinasve së fundmi e ka dhënë një intervistë në televizionin KTV ku ka thënë se dënimi i tij është i padrejtë.

"Vendimi është marrë për mua në ora 22:00 të natës. Kjo ka qenë hakmarrje dhe mos lejim i pjesëmarrjes sime në Kuvend. Dënimi mendoj se ka ardhur ekskluzivisht nga Agim Ademi. Është bërë trend që ata që ankohen dhe mendojnë ndryshe të dënohen. Të gjithë ata që e duan futbollin shfaqin edhe pakënaqësi. Unë kam thënë se si ka mundësi të mungojnë lojtarët më të mirë në ndeshjen e Kosovës ndaj Maqedonisë së Veriut. Dikush është dashur të jap llogari. Kosova ka humbur shumë pasi që do ta ndjenim shtetësinë e Kosovës, do të afirmohej edhe shteti në Kampionatin Evropian. Flitet në opinion se edhe lojtarët e Kosovës janë të përçarë. Dihet se nuk është ftuar Bernard Berisha. Nuk duhet të ketë në ekip teke. Këto kanë ardhur nga keq menaxhimi i Federatës", ka deklaruar i pari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, përcjell Zeri.info.

Image

"Kërkesa ime ka qenë të bëhem transparente mjetet që kanë ardhur nga UEFA e që janë rreth 40 milionë euro. Unë do të ankohem dhe do t'i respektojë të gjitha rregullat. Në fillim e kam përkrahur Agim Ademin pasi ka qenë gjatë në futboll dhe i di të mirat dhe të këqijat e futbollit. Por, ata po i largojnë njerëzit që mendojnë ndryshe. Sikurse unë, janë larguar edhe Arianit Ahmeti apo Ejup Osmani. Edhe djalin e Fadil Vokrrit (Gramozin) që ka menduar ndryshe e kanë larguar", tha ndër të tjera Ejupi.

Tutje, Ejupi pohon se në Kuvendin e FFK-së kishte në plan që të kërkonte transparencë.

"Këto që po i them nëpër medie kisha planifikuar t'i them në Kuvendin e FFK-së, por tashmë më është pamundësuar. Gjithsesi, besoj se edhe kuvendarët e tjerë do të kërkojnë llogari", ka thënë Remzi Ejupi, përcjell Zeri.info.

Image

I pyetur për heshtjen e disa klubeve që më parë janë ankuar në FFK, Remzi Ejupi deklaroi: "Klubet opozitare që kanë reaguar më parë e që tashmë po i heshtin unë i kuptoj pasi FFK mund të hakmerret ndaj tyre. E kuptoj edhe klubin tim Prishtina që mund ta pësoj për mua, rreth mendimit ndryshe. Mendoj se ndryshimet janë të domosdoshme. Në FFK ka njerëz të mrekullueshëm që kanë vullnet për punë, por duhet të lejohet edhe mendimi ndryshe. Në futbollin e Kosovës që nga paslufta janë shpenzuar rreth 120 milionë euro për ta mbajtur gjallë". /Zeri.info

Image