
“Alarm” te Drenica, Devolli u takua me bordin e klubit pas barazimit me Besën, fundjava mund ta gjejë skuadrën drenicase me ndryshime
Përkundër prurje dhe risive të shumta në afatin kalimtar dimëror, Drenica nuk e ka nisur mbarë stinorin pranveror në Superligën e Kosovës.
Fillimisht, skuadra drenicase që drejtohet nga Bledar Devolli u mposht nga FC Prishtina e më pas barazoi në shtëpi kundër skuadrës së fundit në tabelë, Besës së Pejës, raporton “Zeri.info”.
Përballjen e ardhshme, Drenica e luan në Drenas ndaj rivalit lokal, Feronikelit, ku kërkohet me doemos fitorja.
Në rast të ndonjë rezultati pozitiv, gjërat mund të ndryshojnë në stafin teknik, derisa këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i klubit, Ilir Veliqi.
Veliqi në një bisedë me “Zeri.info” ka thënë fillimisht se shpreson në një rezultat pozitiv ndaj “Niklit”.
“Shpresojmë në rezultat pozitiv në ndeshjen e ardhshme, janë bërë disa ndeshje pa fituar në Superligë”, ka thënë Veliqi, duke vazhduar:

“Ne trajnerit ia kemi plotësuar thuajse 80 përqind të kërkesave, dhe tani duhet të vijnë edhe rezultatet”.
Pas ndeshjes me Besën, Veliqi zbulon se trajneri Bledar Devolli kërkoi mendimin e tij për t:u larguar.
“Pas ndeshjes, jemi takuar, kam qenë unë personalisht aty, Devolli ka kërkuar mendimin tim për t'u larguar, por nuk pranuam”, tregoi ai.
I pyetur se në rast të ndonjë rezultati negativ ndaj Feronikelit, a do të shkarkohet trajneri nga Shqipëria, Veliqi u përgjigj:
“Do të mbledhim bordin dhe më pas do të merret një vendim”.
Ndryshe, Drenica pas 20 javësh në Superligë ndodhet në vendin e nëntë në tabelë me 20 pikë të tubuara. /Zeri.info