Futbollisti kosovar që po shkëlqen në Zvicër rrëfehet për “Zerin”: Ftesa nga Kosova e mirëseardhur, ëndrra ime është Barcelona, Ballkani dhe Prishtina luajnë futbollin më atraktiv në Kosovë

Futbollisti kosovar që po shkëlqen në Zvicër rrëfehet për “Zerin”: Ftesa nga Kosova e mirëseardhur, ëndrra ime është Barcelona, Ballkani dhe Prishtina luajnë futbollin më atraktiv në Kosovë

Sport February 28, 2021 - 18:11

Donat Rrudhani është njëri prej shumë futbollistëve shqiptarë që aktivizohen në skuadra të ndryshme të futbollit zviceran.

22-vjeçari që aktivizohet tek Aarau është duke kaluar nëpër një formë sensacionale këtë edicion në divizionin e dytë në Zvicër, raporton "Zeri.info".

Mesfushori i krahut të djathtë ka qenë futbollist i pazëvendësueshëm tek Aarau këtë edicio, duke u paraqitur në 24 ndeshje në të gjitha garat.

Ai kontribuuoi edhe me pesë gola dhe pesë asistime për skuadrën e tij, numra me të cilën ai ka marrë vëmendje të madhe në Zvicër.

Image

Në një bisedë me "Zeri.info", Rrudhani ka deklaruar se synon të vazhdojë me këtë formë dhe me Aaraun të inkuadrohet në elitë.

"Jam në një formë me të vërtetë shumë të mirë. Synimet janë të vazhdoj kështu. Të jem më i mirë çdo ditë dhe me skuadrën synimet i kemi të inkuadrohemi në elitë", ka thënë fillimisht Donat Rrudhani duke folur edhe për të ardhmen e tij:

"Tash për tash, është herët të flasim për ndonjë lëvizje. Oferta ka pasur dhe ende ka në drejtim timin. Nuk mundem t'i përmend klubet për shkak të korrektësisë".

Ëndrra e tij është klubi i madh katalunas, Barcelona, por që thotë se e pëlqen edhe futbollin anglez.

Image

"Ëndrra ime është Barcelona, por kisha pasur dëshirë të luaj edhe në Premierligë", tregon më tej 21-vjeçari.

Falë formës së tij të mirë, Rrudhani tregon se një ftesë nga Përfaqësuesja A e Kosovës do të ishte e mirëseardhur.

"Me Përfaqësuesen A, çdo ftesë është e mirëseardhur. Do të ishte krenari e madhe ta përfaqësoj kombin dhe gjakun tim", nënvizoi mesfushori nga Kosova.

Më tej, ai ka komentuar edhe për periudhën me pandeminë globale COVID-19, duke thënë se ka qenë shumë e vështirë për të si futbollist.

"Pandemia ka qenë e vështirë për të gjithë, por për ne futbollistët edhe më vështirë duke e ditur faktin se është dashur të qëndrojmë të gatshëm me stërvitje individuale e më pas me shumë presion shumë i virusit, ndeshje çdo tre ditë dhe fizikisht ka qenë shumë vështirë", theksoi ai.

Ndonëse luan në Zvicër tek Aarau, Rrudhani nuk e lë në "plan të dytë" edhe Superligën e Kosovës, duke thënë se Ballkani dhe FC Prishtina luajnë "futboll atraktiv".

Image

"E përcjelli kampionatin kosovar nganjëherë, me sa shoh unë, Ballkani dhe FC Prishtina luajnë futboll shumë atraktiv, por edhe Drita ështv një skuadër stabile kështu që këto tri skuadra i shoh favorite për titull", potencoi ylli i Aaraut.

Për fund, Donati flet edhe për futbollistin e tij "model".

"Idoli im është Lionel Messi, të cilin e kam futbollist model, por edhe Kevin de Bruyne", përfundoi të dielën Donat Rrudhani. /Zeri.info