Munishi pas deklaratës së Kabashit: Nuk i kam borxh askujt, as moral e as material, do të pijë kafe me tifozët e Ballkanit me shumë kënaqësi

Munishi pas deklaratës së Kabashit: Nuk i kam borxh askujt, as moral e as material, do të pijë kafe me tifozët e Ballkanit me shumë kënaqësi

Sport March 02, 2021 - 16:24
Detajet

Me largimin e Ismet Munishit, qetësia dhe rehatia në klubin e Ballkanit nuk po arrihet.

Gazetarët, analistët e futbollit dhe tifozët, sa herë që flitet për Ballkanin, u shkon mendja te trajneri prishtinas.

Ndoshta me të drejt për faktin se Munishi e futi këtë skuadër në “hartën e futbollit kosovar” me rezultatet e arritura dhe me marketingun e madh që ua bëri në medie.

Me të përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës skuadra e Ballkanit bëri ndryshime në shtabin teknik, duke e larguar trajnerin Ismet Munishi, për t’ia besuar pozitën e “timonierit” Bledi Shkëmbit.

Ardhja e trajnerit nga Korça në Suharekë u prit me entuziazëm, mirëpo në ndeshjet e para nuk është se po tregon rezultate aq të kënaqshme.

Ballkani si fillim u eliminua nga Kupa e Kosovës, duke u mundur nga Llapi, derisa në tri ndeshjet e para në kampionat ka arritur dy fitore, ndaj Besës dhe Feronikelit, barazoi ndaj Gjilani 1:1, kurse në takimin e fundit u mposht nga Llapi në Podujevë, me rezultat 1:0.

“Zeri.info” së fundmi e ka realizuar një intervistë me presidentin e Ballkanit, Arsim Kabashi.

I pyetur për punën e Bledi Shkëmbit dhe kërkesën e disa tifozëve për largimin e tij, “Cima” deklaroi: “Tifozët e kanë të drejtën e tyre. Shkëmbi është trajner i Ballkanit deri në fund të edicionit dhe të gjithë në klub e kanë të qartë një gjë të tillë”.

Në rrjetet sociale ditët e fundit ka nisur një “fushatë” e tifozëve në Suharekë për rikthimin e Ismet Munishit.

Kabashi tha se tifozët mund ta ftojnë Munishin për kafe.

“Ismet Munishin pasi po e kërkojnë tifozët, le ta ftojnë për kafe, le të vijë në ndeshjen e radhës me Drenicën. Ne e kemi mik Ismetin”, përfundoi Arsim Kabashi.

Image

Munishi: Me kënaqësinë më të madhe me tifozët do të pijë kafe në Suharekë, sidomos me “Xhebrailat”

“Zeri.info” e ka kontaktuar edhe Munishin për ta pyetur rreth deklaratës së fundit të Kabashit dhe kërkesën e tifozëve për rikthimin e tij në Suharekë.

“Klubit të Ballkanit i dëshirojë suksese shumë të mëdha. Tifozëve u dëshirojë suksese dhe jam gati për ta që të rikthehem në Ballkan, vetëm për ta. Jam gati që të pijë kafe në Suharekë pasi që nuk i kam borxh askujt, as moral e as material. Me kënaqësinë më të madhe me tifozët do të pijë kafe në Suharekë, sidomos me “Xhebrailat”, ka deklaruar Ismet Munishi, për të cilin gazeta mëson se në vazhdimësi ka oferta nga klube të ndryshe, por momentalisht është i fokusuar në rolin e analistit të futbollit në televizionin “ATV”.

Ndryshe, Ballkani pas xhiros së 22-të në Superligën e Kosovës në futboll ndodhet në pozitën e dytë, me 45 pikë të tubuara, dy më pak se lideri Drita dhe një më shumë se Prishtina, që ndodhet e treta. /Zeri.info