Ferizaj lë garat dhe rrezikon të shuhet, Federata e Komuna flasin për investime në infrastrukturë

Ferizaj lë garat dhe rrezikon të shuhet, Federata e Komuna flasin për investime në infrastrukturë

Sport March 03, 2021 - 12:53

Përkundër anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA futbolli kosovar vazhdon të funksionojë me shumë telashe e vështirësi. Kriza ekonomike mbetet njëri prej problemeve më të mëdha. Madje, si pasojë e kësaj krize klubi me nam, Ferizaj, është afër shuarjes.

E derisa klubi i madh ferizajas rrezikon të mos ekzistojë më, drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) sot kanë vizituar Komunën e Ferizajt, me kryetarin e të cilit kanë biseduar rreth mundësive të investimeve në infrastrukturë futbollistike.

Por, për klubin bardh e kaltër sot për sot rëndësi më të madhe sesa investimet në infrastrukturë ka gjetja e ndonjë mënyre për ta shpëtuar nga shuarja. Se gjendja e klubit të Ferizajt është shqetësuese e konfirmon fakti se klubi përmes faqes zyrtare po bën me dije se është duke luftuar kundër ekzistencës.

“Ferizaj ka mbetur në mëshirën e Zotit dhe shumë afër shuarjes. Kriza e madhe financiare që ka kapluar klubin tonë gjendje e mjerueshme në klub detyrohemi që ndeshjet e radhës mos t’i zhvillojmëë fare dhe të largohemi nga garat. Është mëkat i madhë që njëë qytet si Ferizaj me biznesmenëë më të fuqishëm në Kosovë të mos përkrahet klubi i vetëm i qytetit me traditë 98 vjeçare. Lusim Kryetarin e Komunës z.Agim Aliu aksionarët që janëë në klub t’i dalin në ndihmë klubit tonë, përndryshe ky ështëë lajmërimi i fundit para shuarjes. Dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë gjendje të rënd”, thuhet në njoftimin e Ferizajt.

Kurse, në njoftimin e FFK-së nuk përmendet ky preokupim i klubit që po i lë në gjysmë garat.

“Presidenti Agim Ademi i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, anëtari i KE-së, Ismajl Ajeti dhe kryetari i LRF të Ferizajt, Afrim Haliti, janë pritur sot nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu dhe drejtori i infrastrukturës i kësaj komune, Arbër Bytyqi. Gjatë këtij takimi u bisedua për zhvillimin e futbollit në këtë komunë, me theks të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës. Me kryetarin Aliu drejtuesit e FFK-së u dakorduan që në të ardhmen e afërt të realizojnë projekte të përbashkëta në infrastrukturë, por edhe në segmente tjera që janë të ndërlidhura me futbollin, e të cilat do t’i shërbejnë jo vetëm klubeve dhe shkollave të futbollit, por edhe komunitetit të këtij regjioni në tërësi”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Ferizaj aktualisht është pjesë e Ligës së Parë. /Express