Veterani me akuza të rënda: Përzgjedhësi më tha se nuk mund të ftohem sepse e ke sharë FFK-në

Veterani me akuza të rënda: Përzgjedhësi më tha se nuk mund të ftohem sepse e ke sharë FFK-në

Sport April 09, 2021 - 23:35
Lajmet e fundit nga sporti

Jeton Gashi, është një prej futbollistëve veteran që është larguar nga Përfaqësuesja e Kosovës, shkruan Zeri.info.

Gashi është shprehur i mllefosur me këtë vendim, duke akuzuar kryesuesit e Ligës së Veteranëve.

Ai u la jashtë për ndeshjen ndaj Shqipërisë me arsyetimin se ka sharë Federatën e Futbollit e Kosovës. Gashi thotë se kështu i ka thënë përzgjedhësi, Ramadan Cimili.

“Në fillim me ftuan për ndeshjen me Gjakovën. Aty isha më i miri, por kur erdhi ndeshja me Shqipërinë, nuk me ftuan. Fola me selektorin, Ramadan Cimilin, e pyeta pse nuk jam ftuar kur ti thua se jam më i miri, ai më tha: ‘Po thojnë se e ka sharë federatën. Ke qenë në formacion për ndeshjen me Shqipërinë, por të kanë larguar’. U takova me kryetarin [Agim Ademin] e pyeta për këtë rast, më tha se ‘kam me bisedu me selektorin’. Është marre më thanë, por jam në një formë të shkëlqyeshme” – tha fillimisht Gashi për “Zeri.info”.

Image
Jeton Gashi, futbollisti me numrin 22.

Tutje, Jeton Gashi tha se nga ish-përzgjedhësi, Ajet Shosholli, ishte ftuar te Përfaqësuesja e Kosovës, por ishte lënë edhe atëherë jashtë.

“Para një viti jam ftuar nga Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjen ndaj Flamurtarit të Vlorës. Ajet Shosholli ka qenë selektor. Edhe para ndeshjes tha se po i inkuadroi lojtarët që kanë luajtur në klube të mëdha, duke më lënë jashtë mua. Edhe atëherë kam reaguar, sepse edhe në kohën kur kam luajtur për Prishtinën, pikërisht Ajet Shosholli ka qenë trajner dhe një vit kam qenë vetëm rezervistë, edhe pse atëherë kisha ardhur në Prishtinë nga Bullgaria, nga Lokomotiva e Sofjës. Padrejtësitë ndaj meje po vazhdojnë edhe tani, nga kushëriri i Ajet Shoshollit, Enes Shosholli, i cili është kryetar i veteranëve” – shtoi anëtari i veteranëve të Lipjanit.

Jeton Gashi në fund tha se ky është një krim. “Krim. Xhelozi. Selektori po thotë se jam më i miri, por nuk po më pyesin”.

Përveç në Bullgari, Gashi gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Dinamon në Shqipëri, Prishtinën, Dritën, Flamurtarin e Ulpianën në Kosovë, dhe Eintracht Haiger në Gjermani. /Zeri.info