FFK dënoi klubin e tij për mos përmbushje të pagave, kryetari i Vitisë: Nuk i kam borxh askujt!

FFK dënoi klubin e tij për mos përmbushje të pagave, kryetari i Vitisë: Nuk i kam borxh askujt!

Sport April 14, 2021 - 13:05
Detajet

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë vendim që të dënojë pesë skuadra të cilat nuk kanë përmbushur detyrimet financiare ndaj lojtarëve të tyre.

KF Ferizaji, KF Vushtrria, KF Trepça, KF Vitia dhe KF Arbëria janë gjobitur me nga një mijë euro, ndërsa kanë afat kohor vetëm 15 ditë që të përmbushin detyrimet ndaj lojtarëve, përndryshe do të gjobiten me pikë.

Ndër klubet e dënuara nga FFK është edhe klubi i Vitisë që bën gara në Ligën e Parë në grupin B.

Megjithatë, kryetari i klubit të Vitisë, Florent Emini mohon se i ka borxh ndonjë lojtari.

“Nuk i kam borxh askujt. Ne s’kemi borxhe ndaj lojtarëve”, tha shkurtimisht Florent Emini për ‘GazetaBlic Sport’.

Emini kështu ka mohuar “akuzën” nga Federata e Futbollit të Kosovës, duke theksuar se klubi i tij nuk i detyrohet asnjë lojtari, pavarësisht se në vendimin e fundit të Komisionit Disiplinor shihet qartazi që ndër klubet e inicuara është edhe klubi i Vitisë.

Në të njëjtin publikim të FFK’së shkruhet se nëse skuadrat nuk kryejnë këto obligime brenda 15 ditëve atëherë pason masa disiplinore – marrja e pikëve.

Vlen të potencohet se Vitia ndodhet në pozitën e tretë në Ligën e Parë në grupin B me 34 pikë, gjashtë pikë larg liderit, Ulpiana.