Luka Modriq e mirëpret Mbappen në Madrid

Luka Modriq e mirëpret Mbappen në Madrid

Sport April 14, 2021 - 15:25
Detajet

Mesfushori Luka Modriq e ka inkurajuar Kylian Mbappen t’i bashkohet Real Madridit në verën e ardhshme.

Francezi është duke shkëlqyer me PSG-në, derisa dje (e martë) siguruan gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve pasi mposhtën Bayern Munichun.

22-vjeçari ka kontratë deri në qershorin e vitit 2022 dhe e ardhmja e tij mbetet në dyshime.

Në rast që nuk rinovon, PSG-ja do të mundohet ta shesë Mbappen, në mënyrë që të mos e lejojë të largohet si agjent i lirë vitin e ardhshëm.

Kroati insiston që Mbappe do të përshtatej shumë shpejt në “Santiago Bernabeu”.

“Ti dëgjon shumë tregime për lojtarët që janë duke ardhur ose largohen, por nuk mund të vazhdojë ashtu. Mbappe është lojtar i mirë dhe ka dëshmuar këtë me Kombëtaren dhe PSG-në. Lojtarët e mirë janë gjithmonë të mirëpritur te Real Madridi, por nuk do të ishte e drejtë nga unë të flas për lojtarët e klubeve të tjera, sidomos në këtë fazë të sezonit. Do shohim çfarë do të ndodhë sezonin e ardhshëm, por është top-lojtar dhe ndër më të mirët në botë”, deklaroi ai.

Francezi thuhet se është duke ëndërruar kalimin te “Los Blancos”.