Vëllaznimi fiton me përmbysje, futet në garë për plejof

Vëllaznimi fiton me përmbysje, futet në garë për plejof

Sport April 14, 2021 - 23:51
Lajmet e fundit nga sporti

Vëllaznimit i ka takuar ndeshja e parë e javës së fundit (28) të Superligës A të Kosovës në hendboll . Në një ndeshje interesante të luajtur të mërkurën në Gjakovë, Vëllaznimi fitoi ndaj Trepçës me dy gola dallim, 34:32.

Vendasit kanë përmbysur rezultatin në pjesën e dytë për të arritur te fitorja. Pas pjesës së parë rezultati ishte 16:13 për mitrovicasit. Por lojtarët e Vëllaznimit nuk u dorëzuan dhe në pjesën e dytë siguruan fitore. Ardi Halili ishte më efikasi me 13 gola, ndërsa 8 i realizoi Mali Luzha. Trepçës këtë herë nuk i mjaftuan 11 golat e Fidan Cimilit dhe 8 të Sali Maxherës.

Trepça edicionin e mbyllë në vendin e tretë me 28 pikë dhe në gjysmëfinale të plejofit do të luaj me Prishtinën.
Vëllaznimi tani i ka 26 pikë, sa edhe Kastrioti. Në rast se Kastrioti nuk merr pikë ndaj Prishtinës nesër, atëherë Vëllaznimi do të hyjë në plejof nga pozita e katërt.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë, kurse “xehetarët” në fund u shkëputën në tri gola. Epërsia e Trepçës shkoi deri në pesë gola në pjesën e dytë (19:14, 20:15). Në minutën 42 Vëllaznimi barazoi rezultatin në 21:21 pas një serie të suksesshme. Më pas u luajt për secilin gol dhe fare në fund Vëllaznimi krijoi epërsi prej dy golave që i mjaftoi për fitoren e rëndësishme. /Zeri.info