Serbia s’arrin të rrëzojë Kosovën me medalje të arta – shpresa e tyre Gjokoviqi mbeti pa asnjë medalje
Foto: EPA

Serbia s’arrin të rrëzojë Kosovën me medalje të arta – shpresa e tyre Gjokoviqi mbeti pa asnjë medalje

Sport July 31, 2021 - 13:31

Serbia ka mbetur pa medalje olimpike në tenis, pasi të shtunën, tenisti më i mirë në botë, Novak Gjokoviqi në ndeshjen për vendin e tretë në kategorinë individuale humbi nga spanjolli Pablo Carreno Busta, kurse më vonë, në kategorinë e çifteve, Gjokoviqi që ishte në çift me Nina Stojanoviqin, u tërhoq nga gara për medaljen e bronztë.

Gjokoviqi dhe Stojanoviqi duhej të luanin me ekipin e kombëtares australiane Ashley Barty dhe John Pierce për medaljen e bronztë, por, siç raporton RTS, ata hoqën dorë për shkak të lodhjes së Novakut.

Gjokoviqi ishte favoriti kryesor për të artën olimpike në konkurrencën individuale, por që në raftin e tij do të mbetet vetëm një medalje olimpike, e bronzta e fituar më 2008 në Pekin, transmeton Zeri.info.

Vlen të theksohet se Serbia u mposht edhe në vaterpolo nga reprezentacioni kroat me rezultat 12:14, në ndeshjen e xhiros të katërt të Grupit B.

Kroacia me këtë rezultat renditet e dyta në tabelë me tri fitore, kurse Serbia e treta me 2 fitore dhe dy humbje.

Plasmanin në të katërtën e finales do ta sigurojnë nga katër përfaqësuese nga dy grupe.

Serbia në xhiron e fundit të hënën do të përballet me Malin e Zi, kurse Kroacia kundër liderit të grupit, Spanjës.

Mst: Medaljet e shteteve të ish-Jugosllavisë

Nga shtetet e ish-Jugosllavisë, deri më tani për kah numri i medaljeve të fituara, Kroacia është më e suksesshmja, me pesë medalje gjithsej (3 të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë). Pas saj është Sllovenia me 2 të arta, 1 të argjendtë dhe një të bronztë, ndërsa e treta është Kosova me 2 të arta. Pastaj vjen Serbia me 1 të artë, 1 të argjendtë dhe 2 të bronzta.

Edhe Maqedonia e Veriut ka fituar deri më tani vetëm një medalje të bronztë. /Zëri