Ballkani ndalet nga Dukagjini, Gjilani e mposht Drenicën

Ballkani ndalet nga Dukagjini, Gjilani e mposht Drenicën

Sport October 20, 2021 - 15:13
DETAJET

Gerhard Progni i ka ndihmuar Gjilanit ta mposhtë 2:1 liderin e deritanishëm të Superligës Drenicën, duke i shënuar të dy golat e triumfit, ndërkohë që Ballkani u bë lider i ri pavarësisht barazimit me Dukagjinin në takimin tjetër të zhvilluar të mërkurën

Gjilani e ka rigjetur rrugën e fitores, pas dy barazimeve radhazi, duke e mundur 2:1 Drenicën në Stadiumin e Qytetit në Gjilan.

Progni e kaloi skuadrën e Ismet Munishit në epërsi me një gol të jashtëzakonshëm nga largësia në minutën e 65-të, para se ta dyfishonte epërsinë kur shënoi nga penalltia në minutën e 79-të.

Mesfushori 34-vjeçari është në krye të listës së golashënuesve në Superligë tani me pesë gola pas 10 xhirove të para.

Baton Zabergja e ktheu Drenicën në lojë kur shënoi nga afërsia shtatë minuta para fundit por goli i tij i shpresës doli të ishte tepër i vonshëm për ta shmangur humbjen e tretë këtë sezon.

Kjo disfatë nënkupton se Drenica e ka humbur udhëheqësinë në krye të tabelës në Superligë, duke rënë në vendin e dytë me 17 pikë.

Ballkani, i cili u ndal me një barazim me Dukagjinin në Klinë, është lider i ri me 18 pikë.

Gjilani i afrohet kreut të tabelës tani më shumë se kurrë, pasi mbledh 17 pikë në vendin e tretë.

Dukagjini i Armend Dallkut mbetet në vendin e tetë me 10 pikë.