Rrëfimi emocional i Messit: Kujtime, mall dhe ëndrra për rikthim në Barcelonë
Ylli argjentinas, Leo Messi flet me nostalgji për Barcelonën, përvojën në Paris, jetën në Miami dhe të ardhmen e tij në futboll. “Dashuria e njerëzve nga Barcelona është diçka që nuk shuhet kurrë”, thotë ai në një intervistë për “SPORT”.
Larg çdo lloj “divizmi” që mund të kishte për shkak të emrit apo arritjeve të tij, Leo Messi vazhdon të jetë simbol i përulësisë dhe thjeshtësisë, edhe në fundin e karrierës së tij të artë. Në një intervistë të gjatë për gazetën SPORT, kapiteni i Inter Miamit rrëfen emocionet e thella që ende ndien për Barcelonën, klubin që e rriti dhe e bëri legjendë.
“Dashuria që më vjen nga Barcelona është e jashtëzakonshme”
“Të gjitha gjërat që më vijnë nga Barcelona, nga njerëzit, nga ajo periudhë që kemi jetuar, më mbushin me nostalgji dhe emocion,” thotë Messi me një buzëqeshje të ndrojtur. “Kam kaluar momente të paharrueshme. Sot i shijoj më shumë se atëherë, sepse atëherë jetoja me ritmin e ndeshjeve, pa e kuptuar plotësisht se çfarë po përjetoja. Sot, me qetësi, i vlerësoj shumë më tepër.”
Messi do të marrë javën e ardhshme çmimin “Lojtari më i dashur në historinë e Barcelonës”, por për të, shpërblimi më i madh është dashuria që vazhdon të ndiejë nga njerëzit e qytetit që e bëri idhull.
“M’u duk e çuditshme mënyra si u largova”
“M’u duk e çuditshme mënyra si u largova. Pas gjithë asaj kohe, nuk u ndava siç e kisha menduar. Desha ta përfundoja karrierën në Barcelonë dhe pastaj të vija këtu, siç bëra. Por pandemia, mungesa e tifozëve… e bënë gjithçka të ftohtë.”
Megjithatë, argjentinasi e di se lidhja me “blaugranat” nuk do të shkëputet kurrë.
“Dashuria e njerëzve do të mbetet gjithmonë, sepse kemi kaluar shumë bashkë. Kam ardhur në Barcelonë 12 vjeç dhe kam kaluar mbi 20 vjet atje. Është e pamundur të mos ndjesh dashuri për një vend ku ke jetuar gjithë jetën, ku kanë lindur fëmijët e mi, ku u rrita si njeri dhe si futbollist.”
“Gjashtë titujt me Guardiolën ishte e jashtëzakonshme”
Kur pyetet për momentin më të lumtur të karrierës, Messi përmend dy periudha të artë:
“Gjashtë tituj brenda sezonit me Guardiolën ishte diçka e jashtëzakonshme, ashtu edhe Champions-i i fundit me Luis Enriquen. Ishin periudha të paharrueshme. Por jam mirënjohës për gjithçka që jetova, për çdo moment që më rriti si njeri dhe si lojtar.”
Ai shton:
“Futbolli nuk është vetëm tituj. Jam krenar që isha pjesë e këtij klubi, që u rrita dhe ndërtova jetën time në Barcelonë. Falënderoj Zotin që më çoi atje si fëmijë.”
“Në Paris nuk u ndjeva mirë, por në Miami e shijoj futbollin”
Messi flet edhe për periudhën e tij në Paris, që nuk e përjetoi siç kishte shpresuar:
“Në Paris nuk u ndjeva mirë, jo për qytetin apo njerëzit – përkundrazi, ishte një përvojë familjare shumë e bukur. Por nuk isha vetvetja në fushë.”
Në Miami, megjithatë, ai ka rigjetur lumturinë:
“Këtu ndihem ndryshe, më i qetë, e shijoj më shumë jetën, familjen dhe futbollin. Këtu presioni është ndryshe. Sigurisht që dua të fitoj, por mund ta shijoj më shumë futbollin. Jetojmë afër stadiumit dhe shkollës së fëmijëve, kemi një jetë të thjeshtë që më bën të ndihem mirë.”
“Ishte e çuditshme kur Jordi Alba u tërhoq papritur”
Në bisedë, Messi prek edhe temën e largimit të shokëve të tij të ngushtë, Jordi Alba dhe Sergio Busquets.
“Ishte shumë e çuditshme, sidomos me Jordin. Nuk e prisnim. Me Busin e kishim folur më shumë, por me Jordin ndodhi nga dita në ditë. Na tha papritur se do të tërhiqej. Ishte befasuese.”
Ai shton:
“Është për të ardhur keq, sepse përveçse kënaqësisë që kishim në fushë, ishim edhe miq. Filluan këtë sfidë në Miami bashkë me mua. Do të më mungojnë shumë.”
“Botërori? Dua të ndihmoj, por nuk dua të jem barrë”
Në lidhje me të ardhmen, Messi nuk fsheh se mendon për një tjetër Kupë Bote me Argjentinën:
“Sigurisht që më emocionon ideja e një tjetër Botërori. Por dua të jem i sigurt që mund të ndihmoj skuadrën. Nuk dua të jem një barrë. Nëse ndiej se nuk jam në nivelin që dua, do ta di kur të ndalem. Por tani për tani, e shijoj futbollin dhe do të vazhdoj derisa ta ndiej ndryshe.”
“Kemi shumë mall për Barcelonën”
Në fund, Messi lëshon një mesazh që i emocionon të gjithë katalanasit:
“Kemi shumë mall për Barcelonën. Fëmijët, gruaja ime, të gjithë flasim shpesh për të. Kemi shtëpinë atje, gjithçka. Do të më pëlqente shumë të kthehem, të shkoj në stadium kur të përfundojë ndërtimi i Camp Nou-t të ri. Do të jetë emocionuese të rikthehem. Faleminderit për dashurinë e përhershme.”