Messi flet pas suksesit historik me Inter Miamin, ka disa fjalë edhe për Jordi Alban dhe Sergio Busquetsin
Leo Messi e bëri përsëri, duke fituar titullin e kampionit me Inter Miamin. Ylli argjentinas udhëhoqi Inter Miami gjatë gjithë sezonit për të ngritur MLS Cup dhe për të shtuar titullin e tij të 48-të në koleksionin personal.
Në moshën 38-vjeçare, ai vazhdon të jetë një lojtar vendimtar dhe një nga futbollistët më të mirë aktualisht. Talenti dhe magjia e tij nuk zhduken kurrë, veçanërisht kur je i konsideruar si lojtari më i mirë në histori të këtij sporti.
Messi gjithashtu u shpall MVP i ndeshjes për performancën e jashtëzakonshme në finalen ndaj Vancouver Whitecaps.
Duke marrë këtë çmim, sulmuesi shprehu gëzimin për triumfin në ligë: "Para tre vitesh vendosa të vij në MLS dhe sot jemi kampionë".
Ai shtoi se ky ishte objektivi që kur pranoi të transferohet te Inter Miami, që ta fitonin titullin e kampionit.
"Ishte një nga objektivat tanë kur erdhëm. Bëmë një vit të shkëlqyer në të gjitha kompeticionet. Një finale të League Cup, gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve CONCACAF. Vitin e kaluar fituam ligën e rregullt, por humbëm në rundin e parë. Këtë vit, fitimi i MLS ishte një nga objektivat tanë kryesorë".
Messi gjithashtu vlerësoi përpjekjen e të gjithë skuadrës.
"Skuadra bëri një përpjekje të madhe, ishte një vit shumë i gjatë, me shumë ndeshje dhe qëndruam në nivel gjatë gjithë sezonit. Ky është momenti që e prisja dhe që ne, si skuadër, e prisnim. Është diçka shumë e bukur për të gjithë. E meritonin".
Ylli argjentinas nuk harroi të përmendte edhe Jordi Alba dhe Sergio Busquets, të cilët vendosën pikën e fundit të karrierës së tyre me këtë titull
: "Për atë që ishin si lojtarë, të dy ndër më të mirët në histori, secili në pozicionin e tij, me karrierat dhe titujt që fituan është e mrekullueshme që mund të tërhiqen me këtë titull të MLS. Mendoj se ende nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për atë që po përjetojnë, për atë që do të thotë të tërhiqesh".
"Sot përfundon diçka shumë e bukur për ta, diçka për të cilën i kanë dedikuar gjithë jetën. Tani fillon një jetë tjetër për ta. Uroj që t’iu shkojnë gjërat më së miri, sepse janë dy miq që i dua shumë. Jam i lumtur që mund të largohen me këtë titull", tha Messi.
Ky sezon i Messit me Inter Miami nuk është vetëm një fitore personale, por edhe një triumf për skuadrën dhe për miqtë e tij që mbyllën karrierën me një titull të merituar.