Reagon Myrto Uzuni pas publikimit të videos në dasmën e motrës
Myrto Uzuni është vënë në qendër të vëmendjes së mediave, por këtë herë jo për paraqitjet e tij në fushë.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare është komentuar gjerësisht në rrjetet sociale pas qarkullimit të disa pamjeve nga dasma e motrës së tij, ku ai shfaqet duke hedhur para gjatë festës. Momenti, i konsideruar si një çast i gëzimit familjar, u interpretua ndryshe nga shumë përdorues online, duke hapur debat dhe duke sjellë reagime kritike që e cilësuan gjestin të tepruar.
Pamjet nga ceremonia u bënë virale, ndërsa në sfond duken të afërm dhe të ftuar të shumtë, me Uzunin i cili bashkohet në këngë dhe festë. Pavarësisht atmosferës së gëzueshme, sjellja e tij u pa nga disa si e papërshtatshme për një figurë publike.
Përballë diskutimeve në rritje, futbollisti nga Berati zgjodhi të reagojë publikisht. Në një deklaratë të postuar në Instagram, Uzuni sqaroi se veprimi i tij nuk lidhej me arrogancën apo shpenzimin e panevojshëm, por me emocionet e forta të një dite të veçantë për familjen.
“Videoja e hedhjes së lekëve ishte thjesht një moment gëzimi për motrën time. E di që gjithmonë ka shumë keqkuptime, por unë jam ai që kam qenë, sot kam arritur t’ia siguroj familjes të ardhmen, Faleminderit Zotit”.
“Nuk i shpenzova lekët në diskoteka duke hapur shisha. Do të ketë njerëz që gjejnë arsye për të folur. Edhe po të mos kisha hedhur, dikush do të kishte komentuar. Pra, çfarëdo që të bësh, nuk mund t’i kënaqësh të gjithë”, shkroi Uzuni.
Ai theksoi se familja është prioriteti i tij kryesor dhe se gjesti ishte një reagim spontan në një moment të rëndësishëm.