Arsenali fiton me vështirësi ndaj Wolvesit, vendosin dy autogola

Arsenali fiton me vështirësi ndaj Wolvesit, vendosin dy autogola

Sport December 13, 2025 - 23:27

Arsenali ka fituar me shumë mund pikët e plota në shtëpi ndaj Wolves, në kuadër të xhiros së 16-të në Ligën Premier.

“Topçinjtë” e dominuan në përgjithësi ndeshjen, por që fitoren e siguruan në minutën e fundit, me epilogun përfundimtar që rezultoi të jetë 2-1.

Arsenali e nisi më mirë për të rrezikuar me Jurrien Timber dhe disa herë falë Gabriel Martinellit, por asnjëri nuk i finalizuan aksionet.

“Topçinjtë” mbajtën mbi 75 për qind të posedimit, derisa raste shënimi kishin edhe Victor Gyokeres e Declan Rice, sidoqoftë, portieri mysafir rezultoi të jetë gjithnjë në vendin e duhur për të mos lejuar befasi.

Sidoqoftë, e tërë situata ndryshoi përmes Sam Johnstone, i cili në përpjekje për ta larguar topin aksidentalisht e futi brenda rrjetës (70’).

Deri në fund, Arsenali lehtë mund të shënonte edhe golin e dytë megjithatë Gyokeres dhe Trossard nuk i shfrytëzuan prapë mundësitë.

Kur askush s’e priste në skenë doli Toluwalase Emmanuel Arokodare që me një finalizim të bukur e mposhti Rayan pas asistimit të Manes (90’).

Megjithatë, në aksionin e fundit Wolves shënoi një tjetër autogol. Këtë herë ishte Yerson Mosquera që e dërgoi topin brenda rrjetës në përpjekje për ta larguar goditjen e Gabriel Jesus (90+5').

Arsenali me këtë fitore shkon në kuotën e 36 pikëve si lider në Ligën Premier, kurse Wolves qëndron në fund me vetëm dy sosh.