Zërat
Idro Seferi
Idro
Seferi

Goodbye, shkofsh e mos u kthefsh!

Zërat November 29, 2018 - 17:32
Lexo detajet

Shkruan: Idro Seferi

Nëse politikanët e Ballkanit publikisht thonë se janë veprimtar “të çështjes” dhe jo politikan për përfitime, që janë patriot e mbrojnë interesat e popullit përse atëherë nuk e kanë gjetur ilacin për një jetë më të mirë. E shkuara, kriminaliteti, korrupsioni e populizmi e karakterizojnë cdo politikë të Ballkanit. Një numër kaq i madh i ekspertëve politik, po të ishin shkencëtar mund ta zbulonin edhe kurën kundër HIV-it

Tash edhe pak ia nis Viti i Ri. Kryeqyteti serb është stolisur një prej të parëve në Ballkan dhe mbase edhe në botë. Tema e ndriçimit festiv ngelet qesharake pas pamjeve absurde të punëtorëve me bluza me mëngë të shkurtra që në vapë vinin dritat gati në shtator. Njerëzit ndjehen më të lumtur dhe shpenzojnë më shumë kur ka drita. Kështu është sqaruar ky fenomen në Serbi pasi buxheti për stolisje u pat rritur marramendësh.

Vitin që shkoi një kompani u detyrua ta falë zyrtarisht pemën e Vitit të Ri që duket se kushtonte më së shtrenjti, nja 80 e ca mijë euro. Stolisja absolute ka veshur gjithçka në kryeqytetin e dikurshëm të Jugosllavisë. Njerëzit megjithatë mendojnë se mund të bëhej edhe pa të. Është viti 2019 dhe duket larg, por është shumë afër.

Asgjë nuk ka ndodhur shumë në këto dy dekada kohë në Ballkan. Kryesisht emrat e qeverisjeve janë persona të njohur për vepra të mëparshme në politikë. Zakonisht kur policia arreston dike me dosje kriminale përdoret termi: I njohur më parë për policinë! Kjo shpesh nënkupton se cilësitë e tij nga e shkuara si bazë dyshuese. Politikanët e Ballkanit për shumicën e popujve janë të njohur që më parë nga popujt. Por, kur pyeten thonë mos prek në të shkuarën. Nacionalizmat kanë ndihmuar njëri-tjetrin në pushtet. Qytetarët e këtyre vendeve urrjetjen e kanë të mbjellë nga politika dhe mungesa e njohurive mbi realitetin në vendet fqinjë.

Ashtu sic nuk dinë serbët asgjë për Kosovën, pak dinë shqiptarët për Serbinë. Këtu nuk po flas për Serbinë e ideve politike, por për njerëzit, vendet dhe mënyrën e funksionimit, revoltën qytetarë apo qëndrimet e tyre. Po kaq dinë serbët për Kosovën, pozitën apo opozitën. Këto vende, e përvec tyre edhe vendet e tjera, janë kryesisht të lidhura me konflikte dhe jo mbi baza të shëndosha barazie, nevojash e shkëmbimesh, mbi baza reale dhe jo politike. Derisa politikanët e Ballkanit zihen e grihen për çështje politike prej pozitave të tyre të qëndrueshme, sigurisë financiare, familjare dhe ndërkohë mundohen të sigurojnë postet e tyre për një mandat, qytetarët sillen nëpër sportele, kurse gjermanishteje, radhë për viza e leje pune, e pritje të dokumenteve. Për ku, për të ikur? Fat e ka kush ka zgjedhur dikur një shkollë të mesme profesionale. Destinacioni është kryesisht Gjermania. Mjek, infermiere e ekspert të IT, disenj grafik, e kuhinier ikin nga Ballkani. Këtë e kam hasur në Kosovë, Shqipëri, në Maqedoni e Serbi. Përveç statistikave zyrtare, ata janë bërë të shpesht që ikin. Fundi i diskutimit mbi çdo çështje është ideja për emigrim apo azili.

Serbia, konsiderohet se humb mes 30 e 40 mijë qytetarë në vit. Një kurs mbaron punë. Tani ka edhe shumë agjenci që marrin kërkesa nga kompanitë jashtë për të gjetur punëtorë të profilizuar e profesionist. Shumë i kanë rënë pishman që nuk kanë ikur në kohët e krizave më të mëdha, e shumë nuk duan të jenë më pishman. Një raport i OKB-së thotë se vendet e Ballkanit do të pësojnë rënie drastike të numrit të qytetarëve në tri dekadat e ardhshme. Në këtë raport, pa Kosovën, thuhet se shumica e qytetarëve të Ballkanit kanë ide emigrimi në vendet Perëndimore.

Tani po ikin ata që janë edhe të punësuar. Një pjesë e Sllavonisë në Kroaci thuhet se nuk ka ngelur askush që prej integrimit të Kroacisë në BE. Në Bosnje, shumë shtëpi janë në shitje. Duket se një pjesë e njerëzve atje janë të lodhur nga tre presidentët, 12 kryeministrat, 150 ministrat, e 600 këshilltarët e tyre dhe nga mbi një mijë deputët lokal e qëndror. Po të mbledhen të gjithë punonjësit e politikës në Ballkan sigurisht e krijojnë një qytet të tretë për nga madhësia.

Një numër kaq i madh i ekspertëve mund ta zbulonin edhe kurën kundër HIV. Kështu duket edhe në një pjesë të jugut të Serbisë. Aty hyjnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës që megjithatë zgjedhin dasmat si mënyrë “Exiti” ashtu siç bëjnë edhe një pjesë në Kosovë gjatë “sezonit” verorë të dasmave. Por, fundja këta njerëz janë të dobishëm për Ballkanin pasi një pjesë e tyre do të shërbejnë si bankomat për ruajtjen e qetësisë shoqërore të Ballkanit. Vitin e kaluar kam shkruar në të njëjtën kohë për të njëjtën temë duke rreshtuar historitë e disa miqëve të mijë që kanë ikur për një vit. Javët që shkoi jam përshëndetur me tre të tillë dhe u kam dëshiruar fat. Ata që në Ballkan gjejnë hapësira për politika regresive dhe përfitojnë nga transicioni natyrisht nuk pajtohen me prishjen e rehatisë së tyre. Mjafton me të thënë “shef” a “drejtor”.

Politikanët thonë se po punojnë për krijimin e një mjedisi të lakmueshëm për të jetuar dhe për investime. Por, për shumë në Ballkan ende ngelet ëndërr një pasaportë siriane dhe mundësia për azil. Një serb diku në Luginë më thotë se kur të lëvizin të gjithë, shqiptarët nëpër brendësi të Kosovës e Maqedonisë, e serbët në drejtim të Beogradit më tutje atëherë mund të qeverisin me hapësirë të pabanuar. Politikanët sillen sikurse janë duke kërkuar një formulë empirike për rinim të përjetshëm! Gjithmonë ata e kanë mirë e qytetarët keq, të paktën deri në momentin kur do të detyrohen të kërkojnë azil në Hungari.

Zyrtarët e BE-së mund të fotografohen me dritat e Vitit të Ri dhe suksesin e tyre të angazhimit në Ballkan. Atyre që rrinë u ngelet t’u thonë atyre tjerëve që ikin “shkofsh e mos u kthefsh”. Është fat nëse në Ballkan në fund nuk ngelin vetëm politikanët dhe analistët.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK