Zërat
Mevlüt Çavuşoğlu
Mevlüt
Çavuşoğlu

Kërkimi i paqes ka nevojë për një politikë të jashtme ndërmarrëse

Zërat November 30, 2018 - 16:08

Këtë javë Stambolli do të jetë nikoqir i dy konferencave ndërkombëtare për ndërmjetësim, të ndara por të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Njëri do t'i kushtohet gjendjes në hartën e konflikteve dhe kapacitetit për ndërmjetësim brenda anëtarësimit të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OIC). I dyti do të ketë një fushë të gjerë dhe do të diskutojë lidhjet midis zhvillimit të qëndrueshëm, paqes dhe ndërmjetësimit; mënyrat për të rritur përfshirjen gjinore dhe rininë në proceset e ndërmjetësimit, si dhe për rolin e të dhënave të mëdha e të inteligjencës artificiale në analizën e konfliktit dhe të ndërmjetësimit.

Mund të mendohet se konferencat janë thjesht vetëm konferenca, por konferencat e ndërmjetësimit të Stambollit kanë treguar mjaft ndikim në kultivimin e një kuptimi të përbashkët të çështjeve dhe një agjendë për veprim në fushën e ndërmjetësimit dhe të zgjidhjes paqësore të konflikteve. Si nikoqiri i këtyre konferencave dhe i vetmi vend që bashkëkryeson së bashku grupet e miqve të ndërmjetësimit në mesin e tri organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, përkatësisht Kombet e Bashkuara, OIC-ja dhe OSBE-ja, Turqia ka mundësinë t’i ndajë rezultatet e këtyre konferencave me këto organizata ndërkombëtare.

Fakti i çështjes është se njerëzimi po ballafaqohet me një sfidë të veçantë në shekullin 21. Pikërisht kur shumë njerëz mendonin se gjysma e gotës është e mbushur sa i përket arritjeve në të drejtën ndërkombëtare, institucionet, demokracinë dhe sundimin e ligjit, llogaridhënien, tregtinë e lirë, barazinë gjinore dhe të tjerët, gjysma e zbrazët e mbetur ka filluar të tregojë veten.

Simptomat janë të njohura për të gjithë ne dhe nuk kemi nevojë të rikujtojmë. Luftërat e tregtisë, format e reja të shfrytëzimit ndërkombëtar, garat gjeopolitike, luftërat e tërthorta (proxy war) të fuqive të mëdha, shtet-kombet e shkatërruara, terrorizmi, ksenofobia, armiqësia kundër islamit, pabarazitë dhe padrejtësitë të cilat vetëm se po rriten llogariten në mesin e tendencave bashkëkohore që përbëjnë gjysmën e gotës së zbrazur.

Sfidat me të cilat po ballafaqohen njerëzimi po i zhdukin arritjet dhe mundësitë e njerëzimit. Cila anë do të mbizotërojë? Përgjigjja varet nga mënyra se si i përgjigjemi sfidave, duke përfshirë edhe atë se sa ne njerëzit mund të punojmë së bashku drejt rezultateve pozitive. Një pikë është e qartë: nëse nuk marrim iniciativë dhe të jemi humanitarë e keqja do të mbizotërojë. Qëndrimi i pritjes dhe shikimit nuk është më i vazhdueshëm. Opsionet e politikave ndryshojnë nga ndërmjetësimi në përdorimin aktual të forcës kundër terroristëve.

Të marrim shembullin e situatës në Siri. Qasja ndërmarrëse dhe humanitare e Turqisë pastroi një pjesë në total prej 4000 kilometrash katrorë nga dy organizata terroriste, DEASH dhe PKK/PYD/YPG. Sikur të mos intervenohej njerëzit tanë do të ishin nën sulm të vazhdueshëm nga këta terroristë dhe një zgjidhje politike e tragjedisë siriane do të ishte e paarritshme. Turqia po bën çmos për t’i lehtësuar vuajtjet humanitare, duke pasur numrin më të madh të refugjatëve në mbarë botën, duke shpenzuar më shumë se ekonomia më e madhe në botë, si shpenzuesi kryesor humanitar në botë. Turqia në të njëjtën kohë po ndërmjetëson gjithashtu në marrëveshjet që shpëtojnë dhjetëra, por edhe qindra mija jeta dhe promovon zgjidhje politike duke u bazuar në integritetin territorial të Sirisë fqinje.
 
 Dhashë shembullin e Sirisë për një arsye. Siria na dëshmon edhe një herë rëndësinë e diplomacisë parandaluese sepse një herë zjarri i konfliktit përfshin një komb, atëherë e vetmja gjë që mbetet e parashikueshme është se do të ketë pasoja të paparashikueshme mbi atë shtet. Një brez qytetarësh do të humbet në një mënyrë ose në tjetrën; e ardhmja do të jetë e zymtë. Gjithkush, duke përfshirë edhe ata që janë mijëra kilometra larg, do të pësojë ose në formën e kërcënimit terrorist, goditjes ekonomike, migrimit të parregullt ose në ndërgjegjen njerëzore të plagosur.

Nëse diplomacia parandaluese dhe zgjidhja paqësore e konflikteve janë me rëndësi të madhe, atëherë duhet t’i marrim seriozisht.  Ky vlerësim, si bashkëkryesues i Grupit të Miqve Ndërmjetësues të OKB-së, OSBE-së dhe OIC-së po nxit përpjekjet e Turqisë në fushën e ndërmjetësimit, si dhe nxit për mbajtjen e programit trajnues për ndërmjetësimin e ndërtimit të kapaciteteve dhe dy konferencat e ndërmjetësimit që do të organizojmë në Stamboll këtë javë.

(Autori është ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë)

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK