Zërat
Naim Ramizi
Naim
Ramizi

Burg shtëpiak për Kosovën

Zërat December 05, 2018 - 16:35
Lexo tjera detaje

Në mars të vitit 2013 baronesha Catherine Ashton do të vizitonte Kosovën. Me një grup studentësh në mënyrën tonë artistike dhe figurative shprehëm pakënaqësinë për padrejtësinë që po i bëhej Kosovës me lirinë e lëvizjes. Atëherë kemi qenë të bindur njëjtë si edhe sot se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ka pasur të bëjë asgjë me standarde të kërkuara nga BE-ja, por ka qenë vendim kryekëput politik dhe racist i BE-së karshi Kosovës. Me mundësitë tona atëbotë ne ia dërguam mesazhin e gjithë studentëve të Kosovës baroneshës Ashton, ajo edhe atë ditë kishte akuzuar politikanët kosovarë për ngecjen e liberalizimit të vizave.

Kosova sot është turpi i Evropës raciste, i asaj Evrope që thirret në vlerat e saj demokratike e që në fakt vlera e vërtetë e saj po del të jetë demonizimi dhe përjashtimi. Kosova dhe populli i saj që përbehet nga një konglomerat kulturash brenda saj duhet të shihet si vlerë e shtuar e BE-së e jo pika e zezë e saj. Diversiteti kulturor, fetar etj. e bën Kosovën dhe popullin e saj unik në llojin e vet dhe si e tillë është dashur të trajtohet specifikisht.

Kosova është vend specifik edhe për faktin se është vendi i fundit që ka dalë nga lufta, e djegur dhe e shkrumbuar, e vrarë dhe e sakatuar, luftë në të cilën ishte zgjuar ndërgjegjja e fjetur e botës demokratike dhe kishte ndërhyrë për të ndaluar një katastrofë humanitare. Sot pas kaq vitesh Kosova ende nuk i ka të shëruara plagët e luftës, asaj ende i mungojnë rreth 2000 qytetarë të zhdukur nga lufta e të cilët gjinden pa dyshim diku në varrezat masive në Serbi. Këto krime dhe mosndëshkueshmëria e tyre nuk e kanë penguar BE-në që Serbisë dhe popullit të saj t’ia njohë lirinë e lëvizjes, popullit i cili ishte pjesëmarrës direkt ose indirekt në të gjitha krimet deri në përmasa gjenocidiale. Si rezultat i krejt kësaj sot rrugëve të Evropës shëtisin të lirë dhe të pandëshkuar gjakësorët e Ballkanit, të cilët janë “vlerë” e BE-së.

Ndërhyrja e botës demokratike, ku bënte pjesë edhe BE-ja për të ndaluar katastrofën humanitare në Kosovë dhe vendimet që pasuan e të cilat e lanë të lirë kriminelin dhe viktimën në arrest shtëpie, është më shumë se hipokrizi dhe më shumë se dënim për viktimën.

Le të jetë në ndërgjegjen tënde Evropë kjo që po bën ndaj një populli (shteti) që ndaj teje ka qenë, është dhe do të jetë korrekt gjithmonë.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK